Stano: Nuk është në dorën e BE-së afati i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Stano: Nuk është në dorën e BE-së afati i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Aktuale November 25, 2022 - 20:48

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur për referencën lidhur me marrëveshjen Serbi-Kosovë, ku thuhet se nëse ndonjë nga palët pengon dialogun atëherë ndërmjetësuesi i BE-së mund të përfundojë procesin.

Stano tha se natyra e BE është të fokusohet tek rezultati dhe jo tek dështimi.

Zëdhënësi i BE-së, në një intervistë për “Abcnews.al” konfirmoi se drejtuesi i lartë i BE ka ftuar në Bruksel për ndërmjetësimin e negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano ka komentuar deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, ku ka një referencë ku thuhet: “Në rast pengimi të dialogut nga secila palë, ndërmjetësuesi i BE-së mund të përfundojë procesin” dhe ka folur për pasojat konkrete për të dyja palët në rast se ndërmjetësuesi i BE-së do t’i duhej t’i jepte fund procesit.

Reklama

“Natyra e Bashkimit Evropian është të fokusohet te rezultatet, të fokusohet te suksesi dhe jo dështimi. Është e rëndësishme të cilësohet se çfarë mund të ndodhë në rast dështimi, por do të ishte më mirë të mos spekulohej lidhur me mundësinë për të braktisur apo për t’i dhënë  fund procesit. Sidomos pas marrëveshjes së arritur këtë javë, ne kemi një momentum. Kjo marrëveshje hap vërtet rrugën drejt punës vendimtare për të ecur përpara me procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Te kjo po fokusohemi dhe presim që të dyja palët të punojnë në këtë drejtim dhe të gjejnë zgjidhje evropiane me një mënyrë evropiane”.

Ai ka folur edhe për një datë të takimit Kosovë-Serbi të nivelit të lartë.

“Datat për takimi të niveli të lartë në Bruksel aranzhohen pak para se të mbahet takimi, thjesht për çështje që logjistike. Ne duhet të kemi çdo gjë në rregull, që do të thotë edhe konfirmimin e palëve, nëse ata mund të vijnë në një datë dhe orë të caktuar. Për ne nuk është e rëndësishme, që të spekulojmë me datat para kohe. Është e rëndësishme që t’i kemi ata në Bruksel, që të kemi konfirmimin e tyre për ardhjen në Bruksel në të njëjtën ditë dhe për të njëjtën agjendë, duke shpresuar që të ketë rezultate. Por përfaqësuesi i lartë i BE-së ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në ditët që vijnë. Shpresoj, që ata do të mund të vijnë, kështu që të mund të vazhdojmë në frymën pozitive që u arrit këtë javë dhe të shfrytëzojnë këtë momentum për të ecur përpara. Kjo nuk bëhet për Bashkimin Evropian, por për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, për fillimin e ndalimit të përshkallëzimit të situatës dhe përfitimin nga perspektiva evropiane”, tha Stano.

Reklama

Ai gjithashtu ka folur për urgjencën e arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësinë që ajo të arrihet në mars të vitit 2023.

“Kur flasim për urgjencë; dita e djeshme duket tashmë tepër vonë, sepse kjo situatë vazhdon më shumë se prej 10 vjetësh dhe kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në vend që të përcaktojmë afate artificiale, ne po ndihmojmë palët, pasi janë palët që vendosin se kur do të jenë gati të arrijnë datën përfundimtare për arritën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe për të ecur përpara. Për të ecur përpara nga metoda e menaxhimit permanent të krizës te metoda e pajtimit. Nuk jemi ne që përcaktojmë afatet. Afatet janë krejtësisht në duart e palëve, në përfitimin e qytetarëve të tyre dhe Bashkimi Evropian do të bëjë çdo gjë që mundet që palët të gjejnë kompromisin. Por u takon palëve që të gjejnë kurajon për të arritur në kompromiset e nevojshme me frymën evropiane”, tha Stano. /Abcnews/