Frikë për shqiptarët në kampet e ISIS-it, kurdët kërcënojnë se s’do t’i ruajnë më
Forcat kurde në verilindje të Sirisë kanë deklaruar për BBC se mund të jenë të detyruar të ndërpresin ruajtjen e kampeve ku mbahen militantët e Shtetit Islamik dhe të afërmit e tyre. Forcat Demokratike Siriane thanë se nuk kanë më kapacitete për të ruajtur këto kampe, si pasojë e sulmeve nga ushtria turke.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, në njërin nga këto kampe, Al Hawl, ndodhen edhe 13 shqiptarë. Aty kanë mbetur Eva Dumani, Emanuela Daci me 3 fëmijë, Hajrie Taushani me një djalë të vogël, Myrvete Dibra me një fëmijë, si dhe Elona Shuli me 2 motrat dhe djalin e saj.
Turqia ka zhvilluar disa operacione në rajon, pas atentatit me bomba në Stamboll ku humbën jetën 6 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Shteti turk fajëson forcat kurde për mbështetjen e terroristëve, çka ka sjellë edhe një tensionim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forcat Siriane Demokratike (FSD) janë të përbëra kryesisht nga militantë kurdë, të cilët mbështeten me armatime nga Shtetet e Bashkuara. Ata kanë mohuar çdo përfshirje në sulmin e ndodhur në Stamboll dhe madje kanë akuzuar Turqinë se e ka përdorur atë si pretekst për të kryer operacione ushtarake kundër tyre.
Kreu i FSD, Gjenerali Mazloum Abdi, tha për BBC se operacionet ushtarake turke do të ndihmonin në ringritjen e grupit terrorist të ISIS-it. “Kjo do të sjellë një luftë të dytë civile në Siri dhe operacionet tona kundër ISIS-it do të ndërpriteshin”, tha ai. “Ne luftuam dhe mundëm ISIS-in në bashkëpunim me një koalicion ndërkombëtar, ndërsa tani Turqia do të minojë të gjithë përpjekjen”.
Al-Hawl, të cilin A2 CNN e vizitoi në vitin 2019, është kampi më i madh ku mbahen militantët e ISIS dhe familjarët e tyre. Sipas BBC, aty jetojnë mbi 50 mijë njerëz, mbi 60% gra dhe fëmijë. Forcat kurde thanë se Turqia ka kryer sulme edhe në këtë kamp, duke vrarë 7 roje. Gjithashtu, 6 të burgosur u arratisën pas sulmit, por u rikapën më vonë. /a2cnn