Pas vendimit të KGJK-së, shtyhet seanca ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit

Pas vendimit të KGJK-së, shtyhet seanca ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit

Aktuale November 25, 2022 - 15:35

Në Gjykatën Themelore në Prizren, për shkak të vendimit të KGJK-së, është shtyrë seanca ndaj të akuzuarit Ramë Vataj, ish-rektor në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, i cili po akuzohet se ka cenuar të drejtën e punësimit në këtë universitet të Vehbi Miftarit.

Këtë e ka konfirmuar gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi, i cili tha se kjo seancë, e paraparë për ditën e premte, shtyhet për shkak të vendimit të KGJK-së.

Po ashtu, gjykatësi Krasniqi tha se seanca në këtë rast shtyhet në afat të pacaktuar.

Ndryshe, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 23 gushtit 2022, ka kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar mirë të drejtën materiale

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkon Ramë Vatajn se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të 14 shtatorit 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e 1 gushtit 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par. 1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Përmes një bisede telefonike Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi