Varfëria në Kosovë, 23661 familje në asistencë sociale
Gjatë muajit tetor 23661 familje me gjithsej 93 451 anëtarë kanë qenë përfitues të skemave të ndihmës sociale.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor 2022.
Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpagues të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, gjatë muajit tetor 2022 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 23 661 familje me gjithsej 93 451 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2748 familje.
“Ndërkaq, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143 144 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpagues të moshës janë 48320 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 766 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 924 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 036 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 300 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2575 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 847 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 773 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 271 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 687 përfitues; dhe nga skema për pensionet invalidore janë 60 përfitues”, thotë ASK-ja.
Gjatë muajit tetor 2022 nuk është raportuar asnjë rast i fëmijëve të braktisur. /Zëri