Murati: Kush e kursen energjinë elektrike, fiton dyfish
Ministri i Financave Hekuran Murati ka njoftuar sot se tashmë është procesuar dhe reflektuar në llogaritë e konsumatorëve pagesa e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.
Murati ka sqaruar se secili konsumator aktiv (fatura mbi 5 euro), që ka kursyer sasinë e kwh më së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit.
Maksimumi i subvencionit për një muaj, është vlera e faturës së muajit përkatës, ose tavani 50 euro, cilado të jetë më e ulët.
Murati ka dhënë edhe shembullin, të cilin mund ta gjeni më poshtë:
Nëse në shtator 2021 keni shpenzuar 1,000 kwh, ndërsa në shtator 2022 keni shpenzuar 800 kwh, i bie që keni kursyer 20% të energjisë elektrike.
Subvencioni llogaritet duke dyfishuar përqindjen e kursimit, pra 2x20%=40%, dhe aplikohet ne vlerën e faturës së muajit aktual. Pra nëse fatura e shtatorit është 40 euro, për shkak se keni kursyer, ju përfitoni subvencion 40% x 40 euro, ose 16 euro.
Për muajin shtator kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike.
Qeveria për familjet!