Hysni Gucati e Nasim Haradinaj dalin javën tjetër para Apelit
Pasi apeluan vendimin, me anë të së cilit, u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me nga 100 euro gjobë, me 1 dhe 2 dhjetor, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të paraqiten para panelit të Apelit.
Lidhur me kë to dy seanca, kryesuesja e panelit të Apelit, Michele Picard, ka nxjerrë një vendim, me anë të së cilit është përcaktuar edhe rendi i ditës.
“E enjte, 1 Dhjetor 2022- 13:30-13:40 – Fjala hyrëse nga Kryetari i trupit gjykues (10 minuta) 13:40-15:10 – Parashtresat e Mbrojtjes së Gucatit (1 orë 30 minuta) 15:10-15:40 – Pushim (30 minuta) 15:40-17:10 – Parashtresat e Mbrojtjes Haradinaj (1 orë 30 minuta)”, është rendi i ditës i përcaktuar për ditën e enjte.
Paneli ka përcaktuar rendin e ditës edhe për seancën e së premtes.
“E Premte, 2 Dhjetor 2022-ora 9:30-11:30 – Përgjigja e ZPS (2 orë) 11:30-12:00 – Pushim (30 minuta) 12:00-12:20 – Përgjigje e Mbrojtjes së Gucatit (20 minuta) 12 :20-12:40 – Përgjigje e Mbrojtjes Haradinaj (20 minuta) 12:40-12:50 – Adresa personale opsionale nga Gucati (10 minuta) 12:50-13:00 – Adresa personale opsionale nga Haradinaj (10 minuta) 13 :00-13:05 – Deklarata përmbyllëse e kryetarit të trupit gjykues (5 minuta)”, është rendi i përcaktuar nga paneli.
Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi