Vogel: Qëllimi i fazës së re është diçka më pak se njohja
FOTO: REL

Vogel: Qëllimi i fazës së re është diçka më pak se njohja

Aktuale November 24, 2022 - 18:49

Rëndësia e vërtetë e dakordimit të Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave, është se e lë mënjanë çështjen e ndezur aktuale dhe i angazhon palët të përqendrohen në perspektivë të gjerë, thotë Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit nga Brukseli.

“Kjo është një marrëveshje e përkohshme. Kjo, thjesht, ndihmon tani në shmangien e një përshkallëzimi, por padyshim nuk është zgjidhje, sepse Kosova në fakt duhet të pezullojë zbatimin e të drejtave të saj sovrane në veri të Kosovës, që natyrisht në një kohë afatgjatë dhe afatmesëm është i papranueshëm për Prishtinën”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 23 nëntor në Bruksel për çështjen e targave ilegale serbe, të cilat përdoren në veri të Kosovës, ku jeton shumica serbe.

Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, të nisur nga 1 nëntori, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe, sikurse ato KM (Kosovska Mitrovica – Mitrovica e Kosovës).

Çështja e targave ka ngritur tensionet në veri që nga vera. Popullata lokale, e cila e kundërshtoi një gjë të tillë, e mbështetur nga Serbia, me herët e paralajmëroi rezistencën në rast se Kosova do të fillonte t’i gjobiste ngasësit e automjeteve me targa të tilla. Shqiptimi i gjobës parashihej të niste nga 21 nëntori si fazë e dytë e vendimit të Qeverisë së Kosovës.

BE-ja tha se dakordimi në Bruksel shmang përshkallëzimin e mëtejmë të situatës, si dhe kontribuon në përqendrimin te “propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, siç u prezantua këtë shtator nga lehtësuesi i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se me këtë dakordim do t’i jepet hapësirë negocimit të “propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”.

“Dakordimi i mbrëmshëm ka një target kryesor dhe kohor për negocim dhe pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, e ajo është sa më shpejt dhe jo më vonë sesa fillimi i pranverës së vitit 2023”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike, e cila, tha ai, “do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Vuçiq përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë. Ai, po ashtu, shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën.

Eksperti për Ballkanin, Toby Vogel, thotë se mbetet për t’u parë nëse marrëveshja e targave realisht do të përkthehet në negociata, për çka shton se ka shumë hapësirë për “manipulime të mundshme”.

“Mendoj se interesi themelor i Serbisë është t’i vonojë sa më shumë që të mundet [negociatat] dhe nuk kam dyshim se do ta bëjë këtë”, thekson Vogel.

Vogel shton se është në fuqinë e lehtësuesit nëse dëshiron që palët të përqendrohen në marrëveshjen përfundimtare. Por, ai nuk beson që Serbia do të negocionte me mirëbesim.

“Besoj se Kosova është shumë entuziaste për ta bërë këtë dhe Serbia jo. Dhe, tejkalimi i këtij hendeku mes palëve do të bjerë mbi lehtësuesin [kryediplomatin evropian, Josep Borrell], autoriteti i të cilit mendoj se ra në masë të madhe nga ajo që ndodhi këtë javë në Bruksel”, vlerëson Vogel.

Dakordimi mbi targa është arritur dy ditë pas dështimit të negociatave ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti nuk pranoi propozimin e Borrellit të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për targa, me arsyetimin se në takim nuk ishte planifikuar edhe negocimi për një marrëveshje finale me Serbinë.

Pak orë më vonë, Kurti u pajtua të shtynte zbatimin e vendimit për targat për 48 orë, pasi këtë e kërkoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Brenda këtyre orëve, marrëveshja në Bruksel është arritur mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve. Zyrtarët e Kosovës falënderuan ambasadorin e SHBA-së, Hovenier, për rolin dhe mbështetjen e tij për arritjen e marrëveshjes.

Vogel thotë se në negociatat për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, roli i SHBA-së është “absolutisht vendimtar”.

“Kur gjërat bëhen vërtet të vështira, do të kërkohet ndoshta një ndërhyrje shumë e drejtpërdrejtë nga Uashingtoni. Dhe, ajo që më shqetëson është se qëllimi i fazës së re, fazës përfundimtare të negociatave, duket se është diçka më pak se njohja”, thotë Vogel.

Ai shton se faza e re e negociatave për të është edhe shqetësuese.

“Sepse propozimi i Francës dhe Gjermanisë […] është diçka që i mungon njohja e plotë dhe më duket e çuditshme që në fillim të një faze që supozohet të fokusohet në një marrëveshje përfundimtare, tashmë të vendoset standard më i ulët se sa mund të ishte”, thekson Vogel.

Sipas tij, Serbia “tani realisht nuk ka ndonjë interes të veçantë për të bërë lëshime drejt njohjes”.

Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, dokumenti i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, të cilët ata e quajnë “Propozimi i Brukselit”, ka për qëllim normalizimin e raporteve mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky dokument nuk është publikuar zyrtarisht, megjithatë zyrtarë në Kosovë dhe Serbi kanë dhënë disa detaje.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë për Klan Kosova se “[Propozimi] ndërtohet mbi tri principe. E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi reciprok i sovranitetit dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”.

Ndërsa në tetor, president serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Franca dhe Gjermania, kishin propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Kjo do të bëhej në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha me 6 nëntor se propozimi franko-gjerman “parasheh që pavarësia e Kosovës është tashmë një punë e kryer”.