Tajani: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë
Foto: Laura Hasani

Tajani: Koha për dialog dhe normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale November 24, 2022 - 13:13

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm drejt paqes marrëveshjen e arritur mbrëmë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Tajani, në një postim në Twitter, ka thënë se gjatë vizitës që ai pati të martën në Prishtinë e Beograd u kërkoi palëve që të zbusin tensionet.

“Gjatë vizitës time të martën në Beograd dhe Prishtinë së bashku me Gudio Crosetto, dëgjuam qëndrimet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. U kërkova atyre që të zbusin tensionet. Arritja e marrëveshjes dje në nivel të BE-së është një hap i rëndësishëm drejt paqes. Urime për Josep Borrellin”, shkroi Tajani.

Ministri i jashtëm italian tha të martën në Prishtinë se Italia është e gatshme të mbështesë të dyja palët për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Ne jemi të angazhuar për ta mbështetur paqen, qëllimi ynë është që t’i zgjidhim problemet dhe që në këtë pjesë të Ballkanit të kthehet prosperiteti, të kthehet rritja ekonomike dhe mirëqenia qytetare. Kjo nuk është një vizitë e rastësishme. Dua që të jetë një mesazh që ne jemi këtu në dispozicionin tuaj për të gjetur një zgjidhje”, ishte shprehur Tajani.