Petkoviq: Kurti sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar më parë

Petkoviq: Kurti sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar më parë

Aktuale November 24, 2022 - 00:03

Serbët nga Kosova që kanë targa ilegale KM, dhe me shkurtesa tjera të qyteteve të Kosovës, ende do të mund t’i përdorin ato dhe t’i regjistrojnë veturat e tyre normalisht, tha sonte shefi i zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Ai tha se marrëveshja u arrit pas shtatë orësh bisedime, dhe se gjobat për serbët që ngasin veturat me targa ilegale, nuk do të gjobiten.

“Pas shtatë orë bisedimesh të vështira, arritëm një marrëveshje që do të thotë se nuk ka politikë ndëshkuese ndaj serbëve që drejtojnë vetura me targa KM. Kjo do të thotë se nga ora tetë nesër nuk ka gjoba prej 150 eurosh të planifikuara nga Kurti, nuk ka politikë penale në të gjitha fazat e tjera që kanë qenë pjesë e vendimit të Kurtit për riregjistrim”, tha Petkoviqi, i cili mori pjesë në takimin me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi sot në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, raporton “Blici” serb, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka theksuar se kjo marrëveshje ka ruajtur paqen dhe ka mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës.

“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është që me këtë marrëveshje, targat KM të mbeten legale, të lëshuara ligjërisht nga Serbia dhe të cilat serbët do të mund t’i përdorin në të ardhmen. Kjo do të thotë se të gjithë pronarët e makinave me këto targa do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht. Ne do të ndalojmë lëshimin e tabelave të reja deri në momentin kur të gjejmë zgjidhjen përfundimtare”, ka theksuar ai, dhe shtoi: “Kurti sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar më parë, kemi arritur të ruajmë paqen dhe stabilitetin, sigurinë për serbët në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe kjo është më e rëndësishmja. Ajo që duhet t’u them të gjithë serbëve në Kosovë është se ju mund të flini të qetë, ne i kemi ruajtur targat tona serbe, KM”.

Me rastin e marrëveshjes së sotme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër do të flasë për të gjitha detajet.