Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor në mbledhje të jashtëzakonshme

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor në mbledhje të jashtëzakonshme

Aktuale November 23, 2022 - 14:41

Këshilli Gjyqësor i Kosovës njofton se do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme këtë të mërkurë, në orën 16:00.

Mbledhja do të mbahet pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ua ulur pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ju njoftojmë se mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (e mbyllur), do të mbahet sot, datë 23 nëntor 2022 (e mërkurë) nga ora 16:00, në sallën e takimeve të KGJK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit ka shfuqizuar vendimin e ish-qeverisë “Haradinaj” për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.

Kryeministri Albin Kurti tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij Ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me Ligjin e atëhershëm për Paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

Qeveria “Haradinaj” në fund të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagës të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj, e cila preku automatikisht edhe sistemin e drejtësisë. Më pas në kohën e qeverisë “Kurti I” ishte marrë vendim që paga e kryeministrit të zbritej, por ato të drejtësisë nuk u prekën.