Kurti tregon në detaje çfarë ndodhi në Bruksel, thotë se Vuçiqi e refuzoi marrëveshjen për targat
Foto: Laura Hasani

Kurti tregon në detaje çfarë ndodhi në Bruksel, thotë se Vuçiqi e refuzoi marrëveshjen për targat

Aktuale November 23, 2022 - 11:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar në detaje se çfarë ka ndodhur në takimin e fundit në Bruksel, i cili u mbajt ditë më parë dhe zgjati për më shumë se tetë orë.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës para anëtarëve të kabinetit qeveritar Kurti theksoi se marrëveshja për targat që Serbia të pezullojë lëshimin e targave ilegale dhe Kosova të ndalojë shqiptimin e gjobave u refuzua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, raporton “Zeri.info”.

Sipas Kurtit, refuzimi i Vuçiqit ka ardhur kur Kosova ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshjeje të jetë edhe propozimi i Bashkimit Evropian, ose ai që tashmë në publik njihet si propozimi franko-gjerman.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se Vuçiqi në këtë takim kishte ardhur për të diskutuar vetëm për targat, kurse Kosova për propozimin e BE-së.

Tutje, kryeministri Kurti deklaroi se në Bruksel nuk shkon për të diskutuar vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe se ato janë të padiskutueshme, raporton më tutje “Zeri.info”.

Ai po ashtu ka thënë se në Bruksel do të shkojë për të nënshkruan marrëveshjen finale, jo për vendime të Qeverisë së Kosovës dhe jo për çështje teknike, të cilat dalin nga dialogu.

Më poshtë jua sjellim një pjesë të deklaratës së Kurtit në mbledhjen e Qeverisë:

Të premten që shkoi u ftova nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, për një takim të organizuar në ndërtesën e Bashkimit Evropian në Bruksel, të nivelit të lartë, me presidentin e Serbisë. Ftesa e përfaqësuesit të lartë Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafë, që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund. Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e Bashkimit Evropian të përkrahur nga Gjermania dhe Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin e tretë teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit të vitit 2023. Natyrisht këtë propozim të zotit Borrell unë e kam mirëpritur dhe tashmë ishim deklaruar që propozimin franko-gjerman, të cilin zotëri Borrell insistonte në takimin në Paris 11 nëntor, që tash e tutje ta quanim propozim të Bashkimit Evropian, paraqet një bazë të mirë për diskutim. Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave së bashku me çështjen e garancive për komunitetin serb të cilët do të diskutoheshin në propozimin e BE-së, pra në marrëveshjen për normalizim dhe gjatë tetë orëve kemi zhvilluar tri takime bilaterale e tri trelaterale. Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë në versionin inicial. Ne ishim të pajtimit që për t’u dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e BE-së, të pezullonim fazën e dytë të vendimit vetëm atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari makina me targa ilegale, sepse nuk ka kuptim të mos vazhdohet faza e dytë të kalohet nga vërejtjet e qortimet të gjobat, të mos ekzekutohen gjobat e në anën tjetër të vazhdohet të lëshohen targat KM, PR, UR, GL e kështu me radhë. Ky propozim u pranua dhe besoj se ishte një e arritur e takimit. Më lejoni të them se komuniteti serb në Kosovë është komuniteti më i mbrojtur dhe më i privilegjuar në Kushtetutë të Republikës....të drejtat për pakica në Kushtetutën e Kosovës nuk i gjen në atë të Serbisë, por nuk i gjen askund anembanë botës, përfshirë edhe vendet më të avancuara të BE-së.

Tash pas takimit që patëm atje, i cili pra gjithsej në këto bisedime zgjati tetë orë, përfaqësuesi i lartë i BE-së fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit të ditës së hënë. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetjen franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke iu përshtatur Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin franko-gjerman, por për targat.

Më 18 gusht, në takimin që kemi pasur, ishin dy pika, korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe pika e dytë çështjet aktuale, edhe unë e mbështeta këtë strukturë të takimeve, sepse liderët shtetërorë thirren për të bërë marrëveshjen e madhe finale. Po e ripërsëris, unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri, as zyrtar dogane që të merrem me gjithfarë çështjesh teknike që dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione e organe përkatëse, të cilët kanë shumë profesionistë të zot që i zhvillojnë këso lloj bisedimesh. Unë shkoj atje për marrëveshjen finale, ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. Ky duhet të jetë qëllimi dhe ky është kuptimi. Ndërkaq autorit e propozimit të BE-së e braktisën propozimin e tyre, prandaj edhe takimi përfundoi. Sikurse në takimin e 18 gushtit, edhe në këtë takim unë isha i fundit që e lëshova ndërtesën e Bashkimit Evropian, sepse gjithmonë ekziston mundësia edhe për një përpjekje të fundit dhe më duhet t’ju njoftoj se ka qenë edhe përpjekja e fundit. Emisari special Lajçak ka ardhur te dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe e bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst, i cili do ta përfshinte edhe propozimin e BE-së, mirëpo më pastaj na njoftoi që presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë, ndërkaq përfaqësuesi i lartë i BE-së tashmë ndodhej në medie.

Pra tek ne ekzistonin edhe qëllimi, edhe qëndrimi, edhe argumentet për të arritur marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, por ky duhet të jetë edhe qëndrimi i ndërmjetësve. Vendimi ynë për targat nuk mund të jetë objekt i negocimit, ai është vendim i Qeverisë sonë, ajo çfarë kemi treguar ne është zemërgjerësinë tonë, që t’i japim shans jo vetëm ligjshmërisë edhe kushtetutshmërisë, por edhe brengat e atyre për mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë, duke diferencuar qasjen e duke sekuencuar implemtinim, tri javë të para qortime dhe vërejtje. Dhe dy muaj pastaj gjobitje, jo konfiskim i targave, por gjobitje. Pra ne nuk e negociojmë vendimin, ne e kemi treguar zemërgjerësinë tonë sa u përket mënyrës dhe kohës së implementimit. /Zëri