Kurti: Për Komunën e Prizrenit buxheti për vitin 2023 është mbi 92 milionë euro

Kurti: Për Komunën e Prizrenit buxheti për vitin 2023 është mbi 92 milionë euro

Aktuale November 22, 2022 - 18:26

Kryeministri i vendit Albin Kurti, po viziton komunat e vendit, ku po bashkëbisedon me qytetarët e këtyre komunave për buxhetin e vitit 2023, projektet dhe nismat që kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve e zhvillimin e ekonomisë sonë.

Takimin dhe bashkëbisedimin e parë me qytetarë, Kryeministri Kurti e pati në Komunën e Prizrenit, bashkë me dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin dhe me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, ku të pranishëm ishin dhe deputetë, këshilltarë nëpër ministri dhe zyrtarë të tjerë komunal e qendror, thuhet në njoftim.

Kurti ka folur edhe rreth buxhetit të vitit 2023, duke thënë se 3 miliardë e 212 milionë euro, është më i larti në historinë e vendit tonë.

“Edhe përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike .Edhe në vitin 2023, siç theksoi ai, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritetet e Qeverisë së Kosovës, ka thënë Kurti.

Kurti bisedoi rreth ndarjes buxhetore për Komunën e Prizrenit, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, kulturës, në infrastrukturë e shumë projekte e nisma të tjera. Për Komunën e Prizrenit, buxheti për vitin 2023 është mbi 92.5 milionë euro.

Pas fjalës së tij dhe prezantimit të buxhetit për vitin 2023, Kryeministri Kurti mori pjesë në bashkëbisedim me qytetarët e kësaj komune për t’i dëgjuar ata rreth çështjes së buxhetit. /Zëri