Haradinaj: Jam i shqetësuar jo për dështimin e Kurtit, por për të gjithë ne si Kosovë
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Jam i shqetësuar jo për dështimin e Kurtit, por për të gjithë ne si Kosovë

Aktuale November 22, 2022 - 13:52

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është i shqetësuar për Kosovën e jo për dështimin e Albin Kurtit.

Sipas tij, shumë kundërshtarë politikë të Kurtit po i gëzohen “fundosjes politike të tij”, por thotë se ai është i shqetësuar për Kosovën, më së shumti.

“E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqetësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se Kurti e ka sjellë vendin “buzë shpërthimit” dhe se “fajtori është Albin Kurti”.

“Sjellja dhe veprimet e Kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme”, ka thënë Haradinaj. Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit”.

Haradinaj ka shtuar se “kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve”.

“E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet ë vendit”.

Ka shkruar edhe për atë që siç thotë politikani opozitar “Kosova në sytë e perëndimit është shndërruar nga viktima në fajtor.

“Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë, është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv”, deklaroi ai.

Haradinaj edhe të hënën i ka kërkuar Kurtit që ta pezullojë vendimin për targat.