PDK-ja dorëzon emrat, këta janë katër kandidatët për kryetar të komunave në veri të Kosovës
Foto: Laura Hasani

PDK-ja dorëzon emrat, këta janë katër kandidatët për kryetar të komunave në veri të Kosovës

Aktuale November 22, 2022 - 13:09

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tashmë ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) emrat e katër kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo pasi kryetarët serbë të këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale në vend.

“Zeri.info” merr vesh se tashmë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) emrat e katër kandidatëve për kryetar të këtyre komunave.

Sipas të njëjtit burim, Taulant Kelmendi është kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Izmir Zeqiri kandidat për kryetar të Zubin Potokut, Albulena Behluli-Hetemi do të jetë kandidate për Leposaviq dhe Ilir Peci kandidat për kryetar të Zveçanit.

Përveç PDK-së, deri të hënën pasdite ka paraqitur aplikimin edhe Iniciativa Qytetare e Mitrovicë me kandidatin e saj për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ende nuk dihet nëse edhe partitë tjera të mëdha shqiptare do të marrin pjesë me kandidatët e tyre në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Afati për të paraqitur emrat e kandidatëve të tyre është shtyrë nga KQZ-së deri më 25 nëntor 2022. /Zëri