Nagavci për zgjedhjen e rektorit të UP-së: Procesi ishte transparent

Nagavci për zgjedhjen e rektorit të UP-së: Procesi ishte transparent

Aktuale November 21, 2022 - 21:11

Me gjashtë vota për, Qerim Qerimi u zgjodh rektor i Universiteti të Prishtinës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ky proces ishte transparent e i bazuar në meritokraci, raporton Zeri.info.

“Për herë të parë kemi krijuar një praktikë që do të transformojë rrënjësisht mënyrën e zgjedhjes së Rektorit si dhe mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës.Vetëm një Rektor i zgjedhur në këtë formë do të jetë në gjendje të ndërkombëtarizojë UP-në, ta garantojë: hapjen e pozitave të reja për staf akademik të mirëpërgatitur, të zbatojë një reformë strukturore të rekrutimit të stafit elitar akademik për secilën pozitë të lirë në UP (që aktualisht mbahen “peng” kundërligjshëm)”, shkroi ajo.

Nagavci ka thënë se UP-ja mëriton të shndërrrohet në mjedis akademik ku mbizotëron cilësia intelektuale.

Ministrja ndër të tjera ka thënë se rektori i ri Qerimi ka ndjekur kërkime postdoktorale në Universitetin e Harvardit dhe në Universitetin e Antëerp-it, ka qenë studiues i Institutit “Max Planck” për të Drejtën Publike Krahasuese dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg. Po ashtu është student i Akademisë së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare.

“Ka qenë zëvendës Dekan për Çështje Akademike të Fakultetit Juridik dhe ushtrues detyre i prorektorit të UP-së.Gjithashtu, ka qenë i angazhuar si ekspert për organizata si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, USAID, DFID, UNDP, IOM dhe Banka Botërore për çështje që lidhen me sundimin e ligjit, zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve në vendet në tranzicion”, shkroi ajo.

Nagavci ka falënderuar Këshillin Drejtues të UP-së për mbarëvajtjen e këtij procesi. /Zëri