KQZ-ja po trajton kërkesën për shtyrje të afatit për certifikim të subjekteve për zgjedhjet në veri
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja po trajton kërkesën për shtyrje të afatit për certifikim të subjekteve për zgjedhjet në veri

Aktuale November 21, 2022 - 15:06

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtyjë afatin për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore në Kosovë.

Lidhur me këtë kërkesë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i ka thënë Telegrafit se është duke u trajtuar një kërkesë e tillë.

“Ju njoftoj se çështja e ndryshimit të disa afateve të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, është duke u trajtuar dhe do t’ju njoftojmë me kohë gjatë ditës”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se deri sot në orën 14:00 KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha Elezi.

Kujtojmë që kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, ndërsa deri më tani Lista Serbe nuk ka dorëzuar në KQZ kërkesë për certifikim.