Përfundon intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së
Foto: Laura Hasani

Përfundon intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së

Aktuale November 21, 2022 - 14:31

Kandidatët për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë intervistuar të hënën.

Të gjithë kanë paraqitur planin e tyre dhe mundësinë për avancimin e UP-së.

Qerim Qerimi, nga Fakulteti Juridik, tha se synim do ta kenë edhe rishikimin e Statutit dhe bashkëpunimin me studentët.

Ai më tej tha se rastet e plagjiaturave mund t’i zgjidhin përmes ndërhyrjes së profesorëve ndërkombëtarë.

“Synim do ta kemi sigurimin e përvojës me studentë, forcimin dhe mbështetjen e kapaciteteve administrative, identifikimin e nevojave për burime, duke përfshirë partneritetin me biznese”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

“Në statut ka nevojë për përcaktime më precize. Do të inicioj krijimin e një grupi punues për rishikimin e statutit. Rastet e plagjiaturave mund t’i zgjidhim përmes ndërhyrjes së profesorëve ndërkombëtarë”.

Edhe Sefer Avdiaj, nga Fakulteti i Shkencave Matematikë Natyrore, foli për parandalimin e plagjiaturës, duke thënë se çdo temë duhet të analizohet para se të publikohet.

“Misioni im është që Universiteti e ka për qëllim krijimi e dijes. E para është digjitalizimi i shërbimeve. Për mua njëri prej problemeve është humbja e doktoratës”.

“Për këtë arsye kam menduar që të krijohet një shkollë e doktoratës. Duhet t’i kushtojmë rëndësi, por ta parandalojmë plagjiaturën që çdo temë të analizohet para se të publikohet”.

Për këtë pozitë kanë aplikuar: Sefer Avdijaj nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ermir Rugova nga FSHMN-ja, Qerim Qerimi nga Fakulteti Juridik, Sali Salihu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Ilir Tolaj nga Fakulteti i Mjekësisë.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte emëruar si ushtruese të detyrës së rektorit Luljeta Plakolli-Kasumin, profesoreshë në Fakultetin Juridik.

Konkursi ishte shpallur pasi më 21 tetor 2022, ish-rektori Naser Sahiti ishte shkarkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së, me arsyetimin se kishte treguar performancë të dobët dhe mospërmbushje të detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe Statutit në fuqi.