Më shumë se katër orë takim me dyer të mbyllura, s’dihet çfarë po ndodh në Bruksel
Foto: European Union

Më shumë se katër orë takim me dyer të mbyllura, s’dihet çfarë po ndodh në Bruksel

Aktuale November 21, 2022 - 14:25

Që nga ora 10:00 e mëngjesit ka filluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel dhe akoma nuk ka përfunduar.

Me ftesë të shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është duke u mbajtur takimi në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku në këtë takim i pranishëm është edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan “Zeri.info”.

Që nga ora 10:00, kur ka filluar ky takim dhe përveç pamjeve të publikuara nga fillimi i takimit, ende nuk dihet nëse palët janë dakorduar për gjetjen e një zgjidhjeje ose arritjen e një marrëveshjeje për targat ilegale, të cilat i përdorin serbët në veri të Kosovës.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit situata në veri është e tensionuar.

Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë - shqiptimit të gjobave prej 150 eurove për shoferët me targa ilegale.

Serbët në veri të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa. /Zëri