Turbullira uji në kanalin e Ibër Lepencit, Fushë-Kosova, “Kalabria”, Drenasi e Obiliqi pa ujë të pijshëm
Foto: Zëri / Ilustrim

Turbullira uji në kanalin e Ibër Lepencit, Fushë-Kosova, “Kalabria”, Drenasi e Obiliqi pa ujë të pijshëm

Aktuale November 21, 2022 - 09:59

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar të hënën se turbullira të ujit janë shfaqur edhe në kanalin e Ibër Lepencit, gjë që ka çuar deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm në Fushë-Kosovë, lagjen “Kalabria” në Prishtinë, Drenas dhe Obiliq.

KRU “Prishtina”, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se këto turbullira kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit.

“Si shkak i kësaj, kemi nivel të lartë të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije, konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm për Fushë-Kosovën, lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë ( një pjesë), Drenasin dhe Obiliqin”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

KRU “Prishtina” nuk ka njoftuar se kur do të rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm në këto zona, ndërsa ka thënë se në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, do të rikthehet edhe furnizimi në gjendjen normale.

“Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto zona, në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do ta rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim. Ne kemi dhënë një orar për Komunën e Fushë-Kosovës dhe u jemi përmbajtur në përpikëri, edhe pse një numër i konsumatorëve janë ankuar se ujë nuk kanë ende. Arsyeja është që pjesa dërrmuese e konsumatorëve të Fushë-Kosovës kanë rezervuarë të mëdhenj në ndërtesa kolektive dhe derisa t’i mbushin ata me ujë, sasia e ujit që e ofrojmë harxhohet dhe se pikat e larta mbesin pa furnizim me ujë. Jemi mobilizuar të gjithë teknikisht edhe me akterët e tjerë si NH ‘Ibër Lepenci’ për stabilizimin sa më të shpejtë të situatës. Deri në orët e pasdites gjendja është e tillë dhe nëse nuk ka reshje besojmë që pastaj stabilizohet”, njofton KRU “Prishtina”. /Zëri