Pas reshjeve të shiut, IKSHPK me rekomandime për qytetarët e Deçanit, Klinës e Istogut

Pas reshjeve të shiut, IKSHPK me rekomandime për qytetarët e Deçanit, Klinës e Istogut

Aktuale November 20, 2022 - 19:43

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të ditur se pas reshjeve të shiut, bashkë me Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Pejë janë në monitorim të vazhdueshëm në lidhje me situatën e krijuar pas reshjeve të shiut.

Përmes një njoftimi thekson se bashkë me QRSHP-në janë në bashkëveprim dhe në kontakt të vazhdueshëm me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidrodrini’ në Pejë.

Bazuar në të dhënat e inspektimit nga terreni, IKShPK thotë se vërehet turbullirë e shtuar e ujit dhe atë kryesisht në rajonin e Deçanit, Klinës dhe Istogut.

“Situata është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm me mostrimin e ujit për pije”, thuhet në njoftim.

Deri në rekomandimet e radhës IKShPK rekomandon që uji para përdorimit të vlohet dhe të konsumohet uji për pije nga resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.

Sipas Institutit këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.