Bulliqi: Gjendja në disa fshatra nuk është aq stabile, shiu i pandërprerë po e vështirëson menaxhimin e situatës
Situata me vërshimet mbetet e vështirë edhe në Komunën e Podujevës.
Kryetari Shpejtim Bulliqi bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, kanë vizituar disa nga fshatrat e prekura nga vërshimet e ditës së diel.
I pari i Podujevës thotë se në fshatrat Dobërdol, Bajçinë, Peran, Metehi, Pakashticë dhe Murgull, është rritur niveli i ujit për shkak të daljes nga shtretërit e lumenjve si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut gjatë orëve të fundit.
“Gjendja e përgjithshme në disa fshatra nuk është aq stabile, e shiu i pandërprerë po e vështirëson menaxhimin e situatës”, ka njoftuar Bulliqi, shkruan “Zeri.info”.
Ekipet emergjente nga mbrëmë janë në teren dhe me angazhim maksimal po punojnë të evitojnë e minimizojnë dëmet që mund të shkaktohen nga vërshimet.
“Apeloj tek të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale në mënyrë që përmes koordinimit dhe kontributit të përbashkët të tejkalohet sa më shpejtë dhe me sa më pak dëme kjo situatë”, ka shtuar Bulliqi. /Zëri