Kurti: Për fëmijët duhet bërë më shumë, ata janë e ardhmja e vendit

Kurti: Për fëmijët duhet bërë më shumë, ata janë e ardhmja e vendit

Aktuale November 20, 2022 - 13:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve ka mbajtur mbledhje Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.

Kurti ka thënë se fëmijët janë pjesa më e rendësishëme e shoqërisë dhe për të cilët duhet të bëjmë më shumë, raporton Zeri.info.

“Nuk ka dyshim që fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e secilës shoqëri. Përfshirë shoqërinë tonë. Janë fëmijët e sotëm ata që nesër do të ndërtojnë institucione të reja e do ta zhvillojnë e përparojnë vendin tonë”, deklaroi kryeministri.

Ai ndër të tjera ka thënë se Qeveria po investon në të gjitha aspektet që fëmijët kanë nevojë për zhvillim, mbrojtje e gjithëpërfshirje.

“Më tej, ai përmendi shtesat për fëmijë, të cilat gjatë vitit të ardhshëm do të përfshijnë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare; ndërtimin e çerdheve, që në buxhetin e vitin të ardhshëm janë buxhetuar 11 sosh; stafin shtesë për çerdhe; ligjin e miratuar në qeveri për arsimin e fëmijërinë e hershme; thirrjen e përbashkët me presidenten e vendit, Bankës Botërore dhe UNICEF për Veprim dhe Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme; dhe angazhimin e 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara e më nevoja të veçanta të paraparë në buxhetin për vitin 2023, si investimet e tona që përtej mirëqenies së fëmijëve tani, garantojnë kthime të konsiderueshme për të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera Kurti u shpreh se për fëmijët duhet bërë më tepër.

“Fëmijët meritojnë më shumë - vendi ynë meriton më shumë. Por edhe fëmijët meritojnë më shumë nga vendi ynë, nga shteti, nga institucionet e sistemi politik, ekonomik e kulturor të Republikës së Kosovës. Edhe vetëdije më e lartë shoqërore, edhe përgjegjësi më e madhe institucionale. Kjo ditë na bën thirrje, pra, për të bërë më shumë veprim kolektiv”, tha kryeministri Kurti. /Zëri