KOMF-i kërkon nga institucionet që të ofrojnë mbrojtje e siguri për çdo fëmijë në Kosovë

KOMF-i kërkon nga institucionet që të ofrojnë mbrojtje e siguri për çdo fëmijë në Kosovë

Aktuale November 20, 2022 - 09:49

Koalicioni i OJQ-ve per Mbrojtjen e Femijeve (KOMF) në ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve u ka bërë thirrje institucioneve që të marrin veprimet e nevojshme për të garantuar mbrojtje dhe mirëqenie për të gjithë fëmijët në Kosovë.

Sipas tyre, fëmijët të cilët janë viktima të abuzimit seksual, me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda dhe fëmijët viktima të abuzimit me substance narkotike kanë nevojë për mbrojtje dhe mbështetje institucionale, shkruan Zeri.info.

“Viteve të fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, etj. Veprat penale kundër integritetit seksual të fëmijëve janë duke ndodhur në ambiente si familje, komunitet, madje edhe në institucionet e mandatuara për mbrojtje të fëmijëve, si për shembull në institucione edukative, shkolla, etj”, thuhet në komunikatë.

Sipas KOMF-it të gjitha gjërat e lartëpërmendura tregojnë paaftësinë e sitemit për t’i mbrojtur fëmijët dhe për t’i ndëshkuar kryersit e abuzimit me fëmijët.

Veçan është cekur fakti se shumë fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk gëzojnë të drejtën për arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, gjë që e bën të vështirë që këta fëmijë të arrijnë potencialin e tyre të plotë. /Zëri