Kurti dhe Vuçiqi me shumë gjasë takohen nesër, thonë nga Qeveria e Kosovës

Kurti dhe Vuçiqi me shumë gjasë takohen nesër, thonë nga Qeveria e Kosovës

Aktuale November 19, 2022 - 12:55

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen nesër në Bruksel, një ditë para se të nis shqiptimi i gjobave për targat ilegale në veri, e cila ka ngritur tensionet mes dy vendeve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për "Zërin" se një takim i mundshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit mund të ndodhë të dielën.

"Me shumë gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel", tha Kryeziu, duke shtuar se një gjë e tillë pritet të konfirmohet.

Një takim të mundshëm në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë e ka paralajmëruar edhe BE-ja të premten.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi se presin progres në dialog, depërshkallëzim dhe gatishmëri konstruktive për të avancuar.

Krizën e tanishmë në Kosovë, Stano e cilësoi si më të rëndën që nga viti 2013.

"Ne jemi në krizën më të keqe nga viti 2013 dhe Përfaqësuesi i Lartë e ka bërë të qartë se çka presin nga të dyja palët dhe çfarë jemi bërë ne për t’i ndihmuar ata dhe për i dhënë një zgjidhje europiane për situatën", tha Stano të premten.

Kujtojmë se sipas vendimit të Qeverisë, nga 21 nëntori do të nis të jepen gjoba për të gjithë vozitësit që nuk kanë vetura RKS. /Zëri