Hamza paralajmëroi padi ndaj deputetit të LVV-së pasi e akuzoi për takim me Listën Serbe, Thaçi: Kam fakte

Hamza paralajmëroi padi ndaj deputetit të LVV-së pasi e akuzoi për takim me Listën Serbe, Thaçi: Kam fakte

Aktuale November 18, 2022 - 20:15

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Halil Thaçi sot ka thënë se kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza është takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ai këtë takim e ka quajtur si të rrezikshëm dhe shqetësues, raporton Zeri.info.

“Është e rrezikshme dhe shqetësuese se si subjekti që para ca ditësh tha se po lëshon institucionet e Republikës së Kosovës, po lufton çdo ditë shtetin tonë, konsultohet çdo ditë me Vuçiqin sot takohet edhe me një parti të opozitës në Kosovës”, shkroi Thaçi.

Por, këto pretendime i ka hedhur poshtë Hamza, i cili ka thënë se për këto “shpifje” do ta padisë në gjykatë deputetin Thaçi.

“Gjatë ditës së sotme, me ftesë të kryetarit të Vushtrrisë, z. Idrizi, unë dhe Z. Fadil Nura kemi zhvilluar nje drekë pune për të diskutuar për zhvillimet në ndërmarrjen e përbashkët komunale “Uniteti”. Gjatë kësaj dreke, unë as nuk kam parë, as nuk kam biseduar me asnjë anëtar apo deputet të Listës serbe. Sa i perket gënjeshtrave dhe shpifjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, do të ballafaqohemi së shpejti në gjykatë!”, shkroi Hamza.

Por, përsëri deputeti i LVV-së, Thaçi iu kundërpërgjigj Hamzës duke thënë se ka fakte për këtë takim.

“Fort qenkan tronditur lidershipi i PDK-së për takimin që ua zbulova.Unë kam fakte dhe shihemi në gjykatë”, shkroi ai. /Zëri