Serbët në jug të Ibrit pyesin “kush do të kujdeset për ne?”
Foto: REL

Serbët në jug të Ibrit pyesin “kush do të kujdeset për ne?”

Aktuale November 18, 2022 - 15:29

Disa nga banorët më këmbëngulës të Vërbocit, tash e nëntë muaj protestojnë çdo ditë para Organit të Përkohshëm Komunal të Vitisë, i cili funksionon si institucion paralel në sistemin serb, me kërkesën për të gjetur një vend pune.

Ata deklarojnë se në muajin shkurt, kur nisën protestat, ishin rreth dyzet veta, por disa prej tyre ndërkohë hoqën dorë për shkak të, siç besojnë, presionit apo premtimeve të rreme.

Sipas sistemit të Kosovës, fshati Vërboc i përket Komunës së Kllokotit, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Mirëpo, siç shprehen, ata besojnë se Serbia është vendi i tyre dhe për këtë kërkojnë mbështetje nga Beogradi zyrtar.

Pse njerëzit në Kllokot pyesin "a i dëgjon dikush"?

Biljana Marinkoviq thotë se askush nuk i dëgjon “thirrjet dhe lutjet” e tyre, edhe pse i janë drejtuar Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe vetë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se bashkatdhetarët e saj nga veriu i Kosovës u shpërblyen për largimin nga institucionet e Kosovës. Ndërsa shton se nuk dëshiron të besojë se Serbia “do të heqë dorë dhe t'i lërë t’i marrë uji”.

Biljana Marinkoviq shpreson se edhe ata do të kenë të ardhura si bashkatdhetarët e tyre në veri të Kosovës.

“Si është situata tash, askush nuk na sheh dhe nuk na dëgjon. Ata nuk duan të na shohin, dhe unë nuk dua ta besoj këtë", thotë Marinkoviq dhe shton se "është e lehtë të jesh patriot me xhepa plot".

“Bëhu patriot pa asnjë të ardhur, ky është patriot për mua, jo me dy mijë euro në muaj, ndërsa dikush nuk mund të mbijetojë as për një muaj”, thotë ajo.

Biljana Marinkoviq thotë se djali i saj studion jashtë qytetit të tij dhe se ata nuk mund të mbijetojnë vetëm me pagën e burrit të saj.

Pjesëmarrësit e protestës (majtas) Miodrag Vukeliq, (në mes) Biljana Marinkoviq, (djathtas) Rade Gjuriq.

Këta banorë thonë se janë të pakënaqur me punën e politikanëve në pushtetin lokal dhe pretendojnë se ka individë që i marrin rrogat nga buxheti i Serbisë dhe nuk jetojnë fare në Kosovë. Ata thonë se ka nga ata që marrin paga të dyfishta, nga sistemi serb dhe nga ai kosovar.

Në krye të komunave serbe në Kosovë është Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Partisë Progresive Serbe (SNS), partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. E njëjta situatë është edhe në Vërbovc.

Radio Evropa e Lirë disa herë ka raportuar për pagat e dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe, përkatësisht se shumica e tyre marrin paga nga buxheti i Qeverisë së Kosovës dhe nga ai i Qeverisë së Serbisë.

Kë e nderoi Vuçiqi?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nderoi më 9 nëntor me medalje ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq, për shkak se kanë lënë pozitat dhe kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nderoi më 9 nëntor me medalje ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.

Po ashtu, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë më 17 nëntor ka njoftuar se ka filluar nënshkrimi i kontratave mes “shtetit të Serbisë dhe serbëve të larguar nga institucionet e Prishtinës”.

“Prandaj, të gjitha të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Prishtinës, do t’i marrin nga shteti i tyre, Serbia”, thuhet ndër të tjera.

Dorëheqjet masive nga institucionet e Kosovës në veri, si nga Policia, autoritetet gjyqësore dhe administrata lokale u bënë në fillim të nëntorit, në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve me targa RKS (Republika e Kosovës).

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU