Banka suedeze flet pasi studenti kosovar u ankua se s’iu lejua transferimi i parave nga Kosova
Foto: Reuters

Banka suedeze flet pasi studenti kosovar u ankua se s’iu lejua transferimi i parave nga Kosova

Aktuale November 18, 2022 - 13:55

Një student nga Kosova, i cili jeton në Suedi, është ankuar se prindërit e tij nuk kanë arritur të transferojnë para nga Kosova në bankën suedeze “Swedbank”.

Në një përgjigje për Zeri.info, “SwedBank” ka konfirmuar se ka ndryshuar disa politika të ofrimit të shërbimeve për disa vende, e që sipas tyre kanë qëllim kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe sanksioneve financiare.

“‘Swedbank’ vendosi në fund të vitit 2021 të ndalojë ofrimin e shërbimeve të pagesave digjitale në një numër vendesh për klientët tanë privatë. Vendimi u mor në përputhje me politikat e përditësuara kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe sanksioneve financiare”, thuhet në përgjigjen e “SwedBank” për “Zërin”.

LEXO EDHE: Studentin kosovar në Suedi e njofton banka se s’mund t’i transferohen para nga Kosova: Është shtet i sanksionuar dhe zonë lufte

Ata sqaruan se në rast se klienti është nga vendet ku shteti i tij është në mesin e të sanksionuarve, duhet të vizitojë një nga degët e tyre, ku më pas do të bëhen kontrolle financiare e mund të rezultojë me mohim të pagesës ndërkombëtare.

“Klientët mund të vizitojnë një nga degët tona për të bërë një transferim ndërkombëtar në një nga vendet e kufizuara. Më pas do të kryhet një kontroll për të siguruar përputhjen me kuadrin ligjor dhe politikat për LPP/TF dhe sanksionet financiare. Ky kontroll mund të rezultojë që ne t'i mohojmë një klienti të bëjë një pagesë ndërkombëtare”, thuhet tutje në përgjigje.

Genci, studenti nga Kosova, më herët kishte shkruar në Twitter se i kishte ardhur një mesazh nga banka, ku tregohej se nuk mund të pranonte para nga Kosova, pasi sipas tij Kosova është në vendet e sanksionuara. /Zëri