Kurti pritet nga kryeministrja Kallas: Kosova e sheh Estoninë si model në shumë aspekte

Kurti pritet nga kryeministrja Kallas: Kosova e sheh Estoninë si model në shumë aspekte

Aktuale November 18, 2022 - 13:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar sot vizitën e tij zyrtare në Estoni, ku është pritur nga kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, për një takim bilateral.

Marrëdhëniet shumë të mira, avancimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë e kontinentin të Evropës pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ishin pjesë qendrore e diskutimit në takim.

Kurti shprehu falënderimin për mikpritjen, vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme, që Estonia i jep Kosovës përgjatë gjithë fazave të zhvillimit të saj dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ai tha se Kosova dhe Estonia përveç marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyeshme, kanë edhe të kaluar të ngjashme historike.

“Andaj, Kosova e sheh Estoninë si model në shumë aspekte, e veçanërisht në fushën e reformës së administratës publike përmes digjitalizimit të shërbimeve”, u shpreh më tej kryeministri.

Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë estoneze të E-Qeverisjes (eGA). Si rezultat, ekspertë nga Estonia po ndihmojnë Kosovën në hartimin strategjisë së re për E-Qeverisje, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital.

Kryeministri Kurti gjithashtu e njoftoi kryeministren Kallas për progresin e arritur dhe reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së deritanishme dhe theksoi se përmirësimet në indikatorët demokratik në vend dhe performanca pozitive ekonomike gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, kanë dëshmuar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah.

Duke i uruar mirëseardhje në kryeqytetin e Estonisë, kryeministrja estoneze Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë shumë të mirë dhe jam e lumtur që ato po zhvillohet edhe më tej, tha kryeministrja Kallas. Ajo po ashtu u shpreh falënderuese për qëndrimet e Kosovës në raport me agresionin e Federatës Ruse dhe për ndihmën që i ka ofruar popullit ukrainas.

Kurti dhe Kallas po ashtu diskutuan për pasojat dhe rreziqet e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ndikimin destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Republika e Kosovës dhe Republika e Estonisë qëndrojnë bashkë kundër agresionit rus dhe në solidaritet me shtetin edhe popullin ukrainas.

Pas takimit, dy krerët e qeverive mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës, që po shoqërojnë kryeministrin Kurti në këtë vizitë zyrtare, janë edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu.