Krasniqi pjesë e Lutjeve të Mëngjesit në Washington, falënderon kongresistët për rëndësinë që ia kushtojnë Kosovës

Krasniqi pjesë e Lutjeve të Mëngjesit në Washington, falënderon kongresistët për rëndësinë që ia kushtojnë Kosovës

Aktuale November 18, 2022 - 12:04

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Washington DC, ka marrë pjesë në takimin tradicional të mëngjesit të lutjeve, që mbahet çdo të enjte në Kongresin amerikan.

Ai ka falënderuar kongresistët për rëndësinë e veçantë që ua kushtojnë Kosovës dhe popullit tonë në kuadër të angazhimit të tyre.

“Rreth 20 kongresistë me përvojë, të cilët u kthyen në Kongres pas zgjedhjeve të mesit të mandatit që u mbajtën javën e kaluar në SHBA, i falënderova për rëndësinë e veçantë që i kushtojnë Kosovës dhe popullit tonë në punën e tyre”, ka thënë ai.

Ai gjatë diskutimit me kongresistët ka shprehur qëndrimin e popullit të Kosovës që koordinimi dhe bashkëpunimi me SHBA-në në rrugëtimin drejt aspiratave të fuqizimit dhe integrimit është i paalternativë.

“Në biseda shumë miqësore, në mënyrë të veçantë me kongresistët Joe Wilson nga South Carolina, Tim Walberg e John Moolenar nga Michigan, Louie Gohmert nga Texas, Juan Vargas nga California dhe Bob Good e Ben Cline nga Virginia, shpreha qëndrimin e vendosur të popullit të Kosovës që, pas sukseseve që kemi arritur së bashku deri më sot përmes koordinimit dhe bashkëpunimit, rrugëtimi ynë përpara drejt aspiratave të fuqizimit dhe integrimit nuk ka alternativë tjetër. Populli i Kosovës është falënderues ndaj SHBA-së për rolin e tyre në krijimin dhe ndërtimin e shtetit tonë dhe miqësinë e ndërtuar ndër vite jemi të përkushtuar që ta mbrojmë dhe ta kultivojmë përjetësisht!”, tha Krasniqi. /Zëri