Kusari-Lila: Plani franko-gjerman i ndarë në dy faza, s’e përmban njohjen reciproke

Kusari-Lila: Plani franko-gjerman i ndarë në dy faza, s’e përmban njohjen reciproke

Aktuale November 18, 2022 - 11:08

Në këtë tryezë po diskutohet rreth situatës aktuale në raportet Kosovë-Serbi, me theks të veçantë gjendjen brenda vendit, pas braktisjes së institucioneve në katër komunat në veri të vendit nga ana e serbëve lokalë.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se në Kosovë ka pasur ndryshime në aspektin demokratik, ndërkohë që situatë e njëjtë nuk është edhe në Serbi.

Ajo deklaroi se procesi i mëparshëm nuk ka sjellë normalizim të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve. Përkundrazi, ajo tha se ka pasur kërkesa që janë rritur në peshë për Kosovën.

“Serbia po mundohet të prezantohet si vend që shtyn përpara procesin e integrimit dhe proceseve të tjera”, tha Kusari-Lila.

Ajo foli edhe për planin franko-gjerman, e për të cilin tha se plani nuk është i këtyre dy vendeve, por evropian, me mbqshtetje të SHBA-së.

“Çka mund t’ju them këtu është se plani përmban zgjidhjen finale, procesin e normalizimit të përgjithshëm të ndarë në dy faza. Faza e parë, të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura, por nuk e përmban njohjen reciproke”, shpjegoi Kusari-Lila.

“Faza e dytë përmban njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve”.

Ajo deklaroi se ka mbi katër muaj që Lista Serbe nuk merr pjesë në seanca të Kuvendit.

“Dhe arsyeja nuk është parimore, por ka të bëjë ekskluzivisht me një çështje, ruajtjen e Milan Radojiçiqit”.