Abazi: Serbia përmes kërcënimeve ndaj Kosovës po e sfidon NATO-n

Abazi: Serbia përmes kërcënimeve ndaj Kosovës po e sfidon NATO-n

Aktuale November 18, 2022 - 10:41

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi, ka mbajtur sot konferencën e përjavshme, ku ka folur për situatën në veri të vendit, Projektligjin për buxhetin për vitin 2023 dhe mbetjet dhe rreziku nga azbesti.

Abazi ka thënë se situatat e krijuara në veri, pas urdhrit të dhënë nga Beogradi për tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet në veri të vendit, kanë shkaktuar vakuum institucional, me qëllim të sfidimit të funksionimit të shtetit dhe ka ngritur kërcënime për qytetarët e vendit.

Sipas tij, kërcënimet që Serbia po ia bën Kosovës kanë për qëllim ta sfidojnë edhe NATO-n, e cila gjendet në Kosovë, transmeton Zëri.info.

“Fakti që Serbia mund të jap këso urdhrash, po ashtu mund të konsiderohet që këtë e ka bërë për ta sfiduar bashkësinë ndërkombëtare, sidomos NATO-n në Kosovë”, ka thënë Abazi në konferencë.

Fjalimi i plotë i Abazit:

Sot në konferencën për media:

I. Veriu, partneriteti ndërkombëtar dhe deputetët serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës – Situatat e krijuara në Veri, pas urdhrit të dhënë nga Beogradi për tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet në Veri të vendit, ka shkaktuar vakum institucional, me qëllim të sfidimit të funksionimit të shtetit dhe ka ngritur kërcënime për qytetarët e vendit. Fakti që Serbia mund të jap këso urdhrash, po ashtu mund të konsiderohet që këtë e ka bërë për ta sfiduar bashkësinë ndërkombëtare sidomos NATO-n në Kosovë.

Targat kanë qenë vetëm preteksti që Serbia të tregoj muskujt e vetë kundrejt fazës së re të krijuar pas rinisjes së Procesit të Berlinit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve atje. Po i afrohemi 21 nëntorit dhe të gjithë janë të alarmuar, e sidomos partnerët tanë ndërkombëtar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës atje. Është i mirënjohur fakti që Serbia është e paparashikueshme për atë se çfarë mund të bëj, duke përdorur qoftë edhe jetët e qytetarëve serb në Veri.

Por, për ne është shumë e rëndësishme që çdo qytetarë në Veriun e vendit të ndjehet i sigurt dhe të kuptojë që Serbia nuk e ka për qëllim mbrojtjen e tyre, por përkundrazi është duke i përdorur si mburojë për pozicionimin e vetë drejtë Rusisë. Kjo u pa qartazi edhe me largimin e deputetëve serbë nga Kuvendi i Kosovës dhe kthimi i deputetëve të Listës Serbe.

Andaj, strategjia dalëse nga kjo situatë për t’ia hequr Serbisë çfarëdo justifikimi për të përdorur strukturat kriminale në veri, duhet të na kthej në tavolinën e bisedimeve me shtetet partnere për të akorduar qëndrimet dhe planin e përgjithshëm përtej dialogut, për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi të situatës sipas planit të Serbisë, por edhe për tu fokusuar në çështjet strategjike të përmbylljes së marrëveshjes finale për normalizim dhe njohje. Ri fokusimi kërkon përfshirje të të gjithë akterëve relevantë dhe po ashtu transparencë lidhur me propozimet të cilat dalin nga Kosova në drejtim të palëve.

II. Projektligji për buxhetin për vitin 2023 dhe Strategjia për Energji – Sigurimi jetësor i policëve, pensionet e plota me bonuse për minatorët e Trepçës, pagesat e rregullta e të përhershme të deputetëve të 2 korrik-ut, kanë qenë kërkesat e mija publike sa i përket përfshirjes së tyre në buxhetin e vitit 2023. Uroj që këto të konsiderohen e të merren parasysh gjatë kësaj faze të shqyrtimit të propozimeve për buxhetin nga ana e deputetëve. Por ajo që është më e rëndësishmja e që kam theksuar edhe dje në fjalimin tim, është mungesa e Strategjisë për Energji.

Përkundër insistimeve, gjërat nuk kanë lëvizur. Jemi me fat që deri tani temperaturat nuk kanë qenë të ulëta dhe nevoja për ngrohje ka qenë minimale. Natyrisht që brengosja është se ky mund të jetë direkt efekt i ngrohjes klimatike, por gjithsesi temperaturat e pazakonta në këto muaj janë të mirëseardhura. Në vend se të ndjehemi komod, ne do të duhej që të përfitojmë nga rasti duke krijuar strategji gjithëpërfshirëse për sektorin e energjisë, e cila strategji përveç se do të orientonte kuadrin ligjor të domosdoshëm, po ashtu do të përcaktonte prioritetet investive në këtë sektor.

Rrjedhimisht, me urgjencë do të duhej të plotësohet korniza ligjore për vendosjen e teknologjive të energjisë së rinovueshme, për kalimin e kodit të ndërtimit dhe përcaktimin e specifikave teknike të realizimit të efiçiencës maksimale të përdorimit të energjisë, eliminimit të të gjitha barrierave dhe burokracisë ndërmjet investitorit dhe shfrytëzuesit, që do të thotë ai apo ajo që është i interesuar të vendos panelet solare mbi kulmin e shtëpisë, të mos ketë nevojë të sorollatet nëpër korridoret e kompanisë së shpërndarjes dhe institucioneve tjera, për të marrë leje për vendosjen e tyre. Këto terma, do të duhej të jenë të përcaktuara nga shteti dhe të zbatoheshin në mes të operatorit dhe kontraktorit për vendosjen e paneleve. Qytetari duhet vetëm të shpreh vullnetin dhe të plotësoj kriterin për mundësinë e pagesës së investimit sipas kontratës së paraparë, por asesi të merret me burokracinë.

Andaj, ritheksoj që është koha e fundit që të shtrohet çështja e investimit në sektorin e energjisë, skemave subvencionuese për qytetarët për vendosjen e paneleve solare, lejimin e investimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe planin kombëtar për efiçiencë.

III. Mbetjet dhe rreziku nga azbesti – Prezenca e azbestit në një masë shumë të madhe si mbuloja të ndërtesave publike gjithandej zonave urbane, e sidomos në Prishtinë ku është koncentrimi më i madh i popullatës duhet adresuar me urgjencë. Azbesti është material kancerogjen, vrasës i padukshëm. Vendet e Bashkimit Evropian për më shumë se dy dekada kanë ndaluar përdorimin e azbestit dhe kanë investuar shuma të mëdha në largimin nga përdorimi i këtij materiali kancerogjen. Spanja për shembull ka ndaluar përdorimin e azbestit që nga viti 2002, ndërsa Bashkimi Evropian ka nxjerrë vendim të posaçëm për të ndaluar dhe hequr nga përdorimi materialet nga azbesti që nga viti 2005.

Vdekjet e mëdha e të pasqaruara shpeshherë të anëtarëve të familjeve tona vijnë si rrjedhojë e këtyre vrasësve të padukshëm dhe është obligim yni që këta vrasës t’i eliminojmë, për ta rritur jetëgjatësinë e qytetarëve tanë dhe për të parandaluar shpenzimet enorme që shkakton trajtimi i pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kancerogjene, të shkaktuara nga materialet e rrezikshme siç është azbesti.

Kërkoj nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nga Komuna e Prishtinës, që me urgjencë të adresohet problemi i prezencës së azbestit dhe të sigurohen të gjitha masat për largimin e këtij materiali të rrezikshëm për jetën e qytetarëve tanë.

Ju falemnderit!