Abdixhiku pritet nga kongresmeni Torres, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

Abdixhiku pritet nga kongresmeni Torres, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

Aktuale November 17, 2022 - 22:32

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në një takim nga kongresmeni demokrat Ritchie Torres.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka treguar se me Torresin kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.

“Patëm një diskutim të hapur e shumë përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon. Biseduam dhe për aspiratat e popullit të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik si dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së SHBA-ve në këtë rrugëtim. Si njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe nevojave të Republikës sonë, Kongresmeni Torres ofroi mbështetje të parezervë”, ka shkruar Abdixhiku, përcjell “Zeri.info”.

Duke e falënderuar kongresmenin Torres, Abdixhiku ka bërë të ditur se ai këtë javë do ta vizitojë Kosovën.

“E falënderova për gjithë kontributin e dhënë në Kongres. Në veçanti, populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës për angazhimin e pandalshëm të tij drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve dhe nevojës për vënie të drejtësisë nga lufta e fundit në vend. Kongresmenin Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë. Përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e SHBA-ve në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjerash Abdixhiku. /Zëri