Deliu: Nëse Sveçla qëllimisht i ka nderuar ushtarët serbë, atëherë duhet të japë dorëheqje

Deliu: Nëse Sveçla qëllimisht i ka nderuar ushtarët serbë, atëherë duhet të japë dorëheqje

Aktuale November 17, 2022 - 11:25

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka thënë nëse ministri i Mbrojtjes Xhelal Sveçla ka nderuar qëllimisht ushtarët serbë që kanë kryer krime në vitet 1912-1914, atëherë do të duhej të jepte dorëheqje.

“Sikur nuk mjaftoi skandali i financimit nga Qeverisë i Kosovës të artikullit në revistën franceze, ku Kosova përshkruhej si vend i trashëgimisë ortodokse serbe, në pah doli edhe një skandal tjetër, ai i nderimit të një pllake përkujtimore me ushtarë serbë”, ka thënë Deliu në Kuvendin e Kosovës, të enjten.

Ajo i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit që Xhelal Sveçlës t’ia kërkojë dorëheqjen.

Pos për Sveçlën, deputetja e PDK-së ka pasur kritika edhe për ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kjo pasi Gërvalla e akuzoi Rusinë për sulmin në Poloni, përkundër asaj që fuqitë e mëdha nuk e kishin bërë këtë.

“Njëra prej dilemave kryesore që e kam sot është se si mund t’i adresohesh një qeverie pa ide, një qeverie pa vizion, pa punë dhe e cila nuk bën pothuajse asgjë çka duhet të bëjë, e kur nis të bëjë, e bën mbrapsht, duke lënë pasoja të gjithanshme”, u shpreh ajo.

“Mos na boni horë”, përfundoi Blerta Deliu.