Klinika e ORL-së në QKUK në prag të mbylljes, edhe tre mjekë e lëshojnë punën
Foto: Laura Hasani

Klinika e ORL-së në QKUK në prag të mbylljes, edhe tre mjekë e lëshojnë punën

Aktuale November 17, 2022 - 09:07

Gjendja në spitalet e Kosovës nuk është hiç e mirë.

Me kushte jo të mira po përballen institucionet shëndetësore. E kjo po i shtyn edhe të lënë vendin e tyre të punës, gjë që po rrezikon mbylljen e klinikave.

Në situatë të vështirë është edhe Klinika e ORL në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kjo pasi tre mjekë e kanë lënë vendin e punës.

Këtë e ka thënë për Front Online, edhe drejtori i kësaj Klinike, Arsim Behramaj.

“Në disa reparte, mjekët e kanë lëshu klinikën kanë shkuar në privat. Punën e kanë lëshuar tre mjekë, këto kohët e fundit tre e kanë lëshu. Këta kanë qenë në repart të fytit dhe në repart të fëmijëve, me lënë punën edhe ndonjëri prej neve po rrezikohet mbyllja e ORL-së, normal që mbyllet nuk ka kush punon”, deklaroi ai.

Ndërsa anesteziologë Behramaj thotë se janë vetëm dy.

“Për anesteziologë nuk është keq, dy janë, kundrejt klinikave tjera ne mirë i kemi punët”, deklaroi Behramaj.

Por jo vetëm, ORL, në QKUK po rrezikohen edhe klinikat tjera. Enlirat Duraku, përfaqësuesi i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të QKUK-së, tha se kjo po ndodh për shkak të keqmenaxhimit.

“Ajo që e di prej QKUK-së, jo vetëm ORL, por edhe shërbimet tjera janë duke u rreziku në mungesë të personelit shëndetësorë, si të mjekëve, por edhe të infermierëve, për shkak të keqmenaxhimit dhe të njerëzve kompetent kur janë në krye të SHSKUK-së”, u shpreh Duraku.

Sipas Odës së mjekëve, vetëm këtë vit janë 185 mjekë që janë larguar nga Kosova për në vendet perëndimore. Megjithatë, mungesa më së shumti po vërehet tek anesteziologët. /express