Aktakuzë për gjakovarin që rrahu gruan me kabllo elektrike

Aktakuzë për gjakovarin që rrahu gruan me kabllo elektrike

Aktuale November 16, 2022 - 14:44

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.J., i cili kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Prokuroria bën të ditur se ngjarja ka ndodhur një javë më parë, në shtëpinë e çiftit ku i njëjti në gjendje të dehur ka rrahur bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar lëndime në trup, raporton Zeri.info.

“Më 09 janar 2022, në komunën e Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri B.J., me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës - bashkëshortes se tij L.Q., viktimë e ndjeshme, si pasojë e viktimizimit të përsëritur, ku pasi i pandehuri kthehet në shtëpi në gjendje të dehur, pa asnjë arsye fillon ta godasë me grushte dhe me një kabëll të televizorit nëpër trup pa kontroll, me çka të dëmtuarës i ka shkaktuar ndrydhje të indeve të buta të kokës, ndrydhje dhe gjakderdhje nen lëkurorë në regjionin e krahut të djathtë dhe në regjionin e barkut”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë që i pandehuri B.J. të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Zëri