ASK: Mbi 92% e studentëve të rinj në nivelin bachelor janë femra

ASK: Mbi 92% e studentëve të rinj në nivelin bachelor janë femra

Aktuale November 16, 2022 - 13:57

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar për herë të parë raportin statistikor mbi Statistikat e Arsimit të Lartë në Kosovë, sipas fushave të studimit për vitin akademik 2021-2022.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, numri më i madh i studentëve të regjistruar, për herë të parë, në arsimin e lartë në nivelin bachelor është shënuar në fushat: biznes, administratë dhe ligj me gjithsej 5 184 studentë, ose shprehur në përqindje, 28,1% e numrit të përgjithshëm të studentëve.

Ndërkaq, sa i përket numrit të përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin bachelor, vërehet diferencë e madhe gjinore në fushën e arsimit, ku nga 4 352 studentë, 92,6% janë femra dhe 7.4% janë meshkuj.

Sipas ASK-së, nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar për herë të parë në nivelin master, 1 849 studentë janë regjistruar në fushat: biznes, administratë dhe ligj, ose shprehur në përqindje, 37,2% e numrit të përgjithshëm. Ndërsa, vërehet numër i vogël i studentëve të regjistruar në fushat: bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari, me gjithsej 90 studentë, ose 1.8% e numrit të përgjithshëm.

Po ashtu, edhe krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin master, dominon numri i studentëve, të cilët ndjekin studimet në fushat: biznes, administratë dhe ligj, me gjithsej 5 149 studentë, ose 43.4% e numrit të përgjithshëm.

ASK-ja thotë se publikimi i të dhënave për numrin e studentëve të regjistruar, sipas fushave të studimit, është një e dhënë e rëndësishme për të bërë një krahasueshmëri rreth fushave të studimit, për të cilat po përcaktohen studentët në studimet e tyre bachelor dhe master. /Zëri