Apeli aprovon padinë e pacientes pasi QKUK-ja s’e trajtoi shkaku i grevës e as MSH-ja s’ia kompensoi trajtimin jashtë vendit

Apeli aprovon padinë e pacientes pasi QKUK-ja s’e trajtoi shkaku i grevës e as MSH-ja s’ia kompensoi trajtimin jashtë vendit

Aktuale November 16, 2022 - 12:53

Gjykata e Apelit ka aprovuar padinë e paditëses F.B. kundër Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Komisionit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve, duke e kthyer lëndën në shkallën e parë për rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka dështuar të arsyetojë faktin se përse e ka refuzuar e kërkesëpadinë e paditëses B., e cila po kërkon kompensimin e shërimit të saj jashtë vendit, ku e kishte bërë amputimin e këmbës.

Pacientja F.B., në kohën e pakënaqësive të doktorëve me Ligjin për Paga në vitin 2019, nuk ka mundur të marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi në ditën kur ka shkuar me urgjencë në këtë institucion, e njëjta nuk ishte pranuar për trajtim, me arsyetimin se punëtorët shëndetësorë gjenden në grevë. Për shkak të kësaj greve, nuk kryheshin operime dhe raportimet e kësaj periudhe kohore tregonin për rreth 200 operime në ditë të anuluara në QKUK.

Kështu, duke qenë në rrezik për jetën e saj, paditësja ishte detyruar të shkojë urgjentisht për trajtim mjekësor në Shkup, megjithëse trajtimi i tillë mjekësor në rrethana normale ofrohej në QKUK dhe ky shërim mjekësor jashtë vendit, i kushtoi asaj10 mijë euro.

Pas operimit urgjent ku B. detyrohet të bëjë amputim të krejt këmbës, familja e saj ka bërë kërkesë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për kompensim.

Mirëpo, këto shpenzime kishte refuzuar t’i mbulonte Fondi Shëndetësor, ku Komisionit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve kishte marrë vendim të refuzimit, me arsyetimin se pacientja ka filluar procedurat e trajtimit pa i përfillur procedurat në udhëzimin administrativ 03/2017, duke mos e trajtuar fare pretendimin e saj, se mosrespektimi i procedurave ishte bërë për shkak të grevës se personelit shëndetësor.

Vetë F.B. kishte thënë se në pyetje ishte shëndeti i saj “o jetë o vdekje”. Edhe bashkëshorti i saj, R.B. ishte shprehur se ka marrë udhëzim në ambulancë edhe pastaj me të shkuar në QKUK, “iu kishin mbyllur dyert”, për shkak të grevës.

“Unë i kam ndjekë procedurat, ose me lanë me vdekë ose me e qu dikun tjetër”, ishte shprehur ai.

Pas refuzimit, bashkëshorti i F.B., edhe një herë kishte bërë ankesë, ku edhe këtë herë ishte refuzuar dhe kështu ai bën padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por edhe kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesëpadinë.

Kështu, paditësja F.B, të cilën e përfaqëson bashkëshorti i saj R.B., si dhe përfaqësuesi me autorizim, avokati Nazim Mehmeti, kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Apelit, duke thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë thirret vetëm në Udhëzimin Administrativ 03/2017 për të refuzuar kërkesëpadinë e paditëses, duke injoruar tërësisht në interpretimin e saj vetë Ligjin në të cilin bazohet ky Udhëzim Administrativ: Ligjin nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor.

Sipas arsyetimit të gjykatës, kërkesëpadia e paditëses duhet të refuzohet sepse e njëjta ka filluar trajtimin mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, pa pritur që të përfundohet procedura administrative. Konkretisht, gjykata thirret në nenin 7 (paragrafi 1.3) të Udhëzimit, i cili thekson që: “Refuzohet kërkesa e pacientit sipas nenit 4 dhe 6 nëse pacienti ka filluar trajtimin mjekësor pa përfunduar procedurat administrative”.

“Mirëpo, siç shihet, një rregull i tillë vlen vetëm për nenet 4 dhe 6 të Udhëzimit, e jo edhe për nenin 5 (procedura për rastet emergjente). Edhe vetë emërtimi i nenit 7 tregon se i njëjti nuk është relevant në rastet emergjente, ku i njëjti emërtohet si “Të drejtat dhe obligimet individuale të aplikuesit joemergjent”. Në rastet emergjente, nuk ka nevojë të pritet përfundimi i procedurës administrative, pasi vetë natyra e këtyre rasteve nuk duron pritje”, thuhet në ankesën që ka bërë paditësja.

Tutje, thuhet se gjykata e shkallës së parë i ka bërë një interpretim tejet të ngushtë situatës së krijuar, duke e subsimuar atë tërësisht nën disa dispozita të caktuara të Udhëzimit Administrativ 03/2017.

“Gjykata ka dështuar të vërejë se paditësja e ka pasur objektivisht të pamundur të ndjekë në detaje procedurat e dhëna me Udhëzimin 03/2017, për shkak të grevës në institucionet shëndetësore publike. Konkretisht, edhe për rastin e saj emergjent, siç e përcakton neni 5 (paragrafi 1) i Udhëzimit, paditësja e ka pasur të pamundur të marrë raportin emergjent mjekësor dhe pastaj fletëzotimin dhe çështjet tjera procedurale para se të fillojë trajtimin mjekësor të domosdoshëm”, thuhej tutje në ankesë.

E gjithë kjo sipas ankesës, nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit të paditëses. Por, për shkak të grevës së zhvilluar, nuk ka funksionuar ekipi mjekësor nga i cili do mund të merrej raporti emergjent mjekësor, e as nuk ka funksionuar ndonjë procedurë tjetër alternative dhe sikur të mos ishte për fajin e institucioneve shëndetësore publike, paditësja nuk do kishte fare nevojë për të aplikonte për trajtim jashtë institucioneve pasi shërbimet shëndetësore për të cilat paditësja kishte nevojë, veçse ofroheshin në QKUK.

“Në anën tjetër, sikur paditësja të priste përfundimin e grevës për të përmbushur procedurat administrative që sipas gjykatës së shkallës së parë është dashur t’i përmbushë, kjo do mund t’i kushtonte asaj me jetë”, thuhet në ankesë, duke shtuar se është e pakuptimtë që gjykata e shkallës së parë të gjitha këto lëshime të institucioneve t’ia vërë barrën paditëses.

Kështu, kjo ankesë është aprovuar nga Gjykata e Apelit, duke e kthyer lëndën në shkallën e parë për rigjykim dhe rivendosje.

Në arsyetimin e kësaj gjykate, thuhet se nuk pranohet vlerësimi juridik i gjykatës së shkallës së parë si i rregullt dhe i ligjshëm, për arsye se aktgjykimi i atakuar me ankesë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182, par. 1 dhe 2, ku përcaktohet nëse aktgjykimi ka të meta për shkak të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos nëse është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetën, nuk ka arsye ose ato arsye janë të paqarta, e të tjera.

Po ashtu, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se qëndrojnë pretendimet se kur paditësja ka shkuar në urgjencë të QKUK-së nuk është trajtuar për shkak të grevës dhe nëse do priste deri të përfundonte greva do t’i kushtonte me jetë.

Apeli, në këtë vendim thotë se gjykata e shkallë së parë ka dështuar të arsyetojë faktin se përse e ka refuzuar kërkesëpadinë e paditëses dhe se në bazë të cilës provë ka vërtetuar se paditësja nuk i plotëson kushtet apo kriteret për t’u kompensuar për shërim jashtë institucioneve, përveç që është përmendur dispozita e nenit 4 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ për trajtim jashtë vendit, me arsyetimin se paditësja nuk ka poseduar fletë garancie për fillimin e trajtimit jashtë vendit.

“Kjo gjykatë, si gjykatë e shkallës së dytë, vlerëson se gjykata e shkallës së parë në çështjen konkrete juridike nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike, e cila vihet në dyshim me pretendimet ankimore, andaj për shkak të moszbatimit të rregull të procedurës dhe mos vërtetimit të tërësishëm dhe të rregullt të gjendjes faktike, nuk është zbatuar drejtë edhe e drejta materiale. Gjykata e shkallës se parë në vlerësimin e vet nuk ka dhënë arsye të mjaftuara dhe bindëse faktike dhe juridike mbi faktet relevante për të vendosur në këtë çështje juridike”, shpjegohet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë përfundimin e tërë kësaj procedure e ka arsyetuar në masa të pamjaftueshme të rrethanave që kanë ndikuar në refuzimin e kërkesëpadisë.

Kështu, është vendosur që gjykata e shkallës së parë në riprocedurë t’i ftojë palët dhe të hapë shqyrtimin kryesor dhe të bëjë edhe një herë administrimin e provave. /BetimipërDrejtësi