Trajkoviqi rrëfen për kërcënimet që po i merr nga Serbia: Krejt nisi pas dëshmisë për vrasjen e Ivanoviqit

Trajkoviqi rrëfen për kërcënimet që po i merr nga Serbia: Krejt nisi pas dëshmisë për vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale November 16, 2022 - 09:29

Rada Trajkoviq, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve, ka konfirmuar se dje është kërcënuar nga ministri i Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por ka thënë se nuk do ta citojë dhe nuk do të tregojë se çfarë i tha ai.

Trajkoviqi, e cila ditë më parë bëri të ditur se po kërcënohet për shkak të dëshmisë së saj për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, ka thënë se situatë e njëjtë ka vazhduar edhe sot.

Në një intervistë për “RTK Prime”, mbrëmjen e së martës ajo deklaroi se po atë ditë u kërcënua nga ministri serb i Mbrojtjes, ndërsa konfirmoi sërish se kjo nuk është hera e parë që i ndodh diçka e tillë.

“Ju e dini që në nuk jam për nga natyra e ndjeshme shumë. Munden ata që të më kërcënojnë sa të duan…nuk do të jetë as hera e parë. Kemi pasur vrasjen e Oliver Ivanoviqit, nuk do të thotë kjo që mund të më frikësojnë, dhe të mos them…shtypja është e madhe, sot pata kërcënime edhe nga ministri i Mbrojtjes të Serbisë, i cili ndoshta është përzgjedhur që të respektojë dhe bashkëpunojë në nivel rajonal, luftës, kundër asaj që është rreziku më i madh, kriminaliteti dhe mafias”, deklaroi Trajkoviqi.

Pyetur se çfarë kërcënimesh mori nga ministri serb, ajo u përgjigj se nuk do ta citojë, derisa tha se për Serbinë, Milan Radojiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një “qytetar i zellshëm”.

“Mendoj që është një demonizim total…mos ta citoj prapë, nuk dua ta citoj prapë. Në anën tjetër, humanizimi i Radojiçiqit sikurse ai është më i miri, një qytetar i zellshëm, që është i rëndësishëm për shtetin serb. Nuk do të ia kishte pranuar as kryetari dhe nuk do të ishte as pjesë e mbledhje të rregullta të Kuvendit”, deklaroi ajo.

Trajkoviqi për Sheshelin: Ky burrë nxit vrasje

“Ky burrë nxit vrasje dhe krime”, kjo ishte deklarata e para disa ditësh e Trajkoviqit për Vojislav Sheshelin, i dënuar për krime lufte në ish-Jugosllavi nga Gjykata e Tribunalit të Hagës.

Reagimin e saj e nxiti një deklaratë e tij, i cili deklaroi se “Trajkoviqi po përballet me një rrezik të njëjtë, si që kërcënoi Oliver Ivanoviqin”.

“Ai (Oliver Ivanoviq) ishte i preferuari i fuqive perëndimore. Ai u arrestua nga autoritetet e Schipholit, ndonëse nuk kreu asnjë krim – për këtë jam i bindur. Në këtë mënyrë ai duhej të krijonte një aureolë dëshmori për të tërhequr serbët që ta votojnë. Pasi dështoi ai projekt, kur u pa se nuk mund ta gjykonin, as se serbët kishin ndonjë simpati për të, se partia e tij dështoi, atëherë e vranë për t’ia atribuuar vrasjen Beogradit zyrtar”, pretendoi Shesheli.