AUV-i qenve do t’u vendosë çipa, regjistrimi e shërbimet e tjera paguhen nga shteti

AUV-i qenve do t’u vendosë çipa, regjistrimi e shërbimet e tjera paguhen nga shteti

Aktuale November 16, 2022 - 08:49

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nisur identifikimin e qenve me pronarë. Kësisoj, atyre do t’u vendoset nga një çip, që synon që të njëjtët të jenë nën kontroll.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, i cili ka thënë se projekti fillimisht ka nisur në tetë komunat e Kosovës.

Ai ka thënë se projekti do të implementohet në tërë Kosovën, në bashkëpunim me komunat dhe se nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i tyre dhe se deri më tani një numër i vogël janë regjistruar.

“Ne kemi filluar implementimin e projektit për identifikimin e qenve me pronarë. Kemi filluar me tetë komuna dhe kjo ka nisur nga java e kaluar dhe posa t’i nënshkruajmë kontratat edhe me komunat tjera, të cilat do të përfshihen të gjitha komunat dhe do të regjistrohen të gjithë qentë me pronarë, sepse është obligim ligjor”.

“Kushdo që e regjistron kafshën, të gjitha shërbimet do të jenë të mbuluara nga buxheti i Kosovës, duke përfshirë çipin, aplikime të nevojshme, vaksinimin etj. Qëllimi është që burimet e shumimit të qenve t’i fusim nën kontroll”, u shpreh Thaçi.

“Nuk i kemi të dhënat e sakta, por ka filluar identifikimi i qenve me pronarë. Deri tani është një numër i vogël i tyre që janë regjistruar”, u shpreh tutje Thaçi.