Nagavci sërish thirrje për zëvendësim orësh, pret që nxënësit të shkojnë në shkollë të shtunave

Nagavci sërish thirrje për zëvendësim orësh, pret që nxënësit të shkojnë në shkollë të shtunave

Aktuale November 16, 2022 - 08:07

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje që të respektohet kalendari për zëvendësimin e orëve të humbura, pasi sipas saj është në interesin e nxënësve.

Ajo është shprehur se kushtet për zëvendësimin e orëve janë të mira, duke marrë parasysh motin e mirë.

Madje Nagavci thotë se edhe fëmijët nuk janë të stërngarkuar dhe se orari për zëvendësim parasheh vetëm dy të shtuna për një muaj vetëm në gjysmëvjetorin e parë.

“Është kalendari që duhet të respektohet, është interesi më i mirë i fëmijëve. Humbjet kanë qenë të shumta kështu që orët duhet të zëvendësohen. Jemi në përparësi sepse edhe moti është i mirë kohëzgjatja e pushimit për fëmijët ka qenë tepër i madh kështu që nuk është që kemi fëmijët që janë të stërngarkuar apo të lodhur, e për më tepër janë dy të shtuna në muaj për të cilat është planifikuar zëvendësimi dhe ato vetëm në gjysmëvjetorin e parë”.

“Nëse e shohim në vazhdimësi pjesëmarrja në mësim nga ana e nxënësve ka qenë e madhe prej secilën të shtunave. Unë pres që nuk do të ketë mungesa në shkollë sepse kjo behët për interesin më të mirë të fëmijëve”, tha ajo.

Nagavci u shpreh se inspektorët kanë përcjellë situatën e zëvendësimit të orëve dhe se ka pasur dallime në pjesëmarrje nga shkolla në shkollë e po ashtu edhe nga komuna në komunë.

Ajo tha se të shtunën e fundit pjesëmarrja e nxënësve ka qenë e madhe dhe se shpreson që kjo të rritet edhe ditët në vijim.

“Ka pasur në vazhdimësi vizita nga inspektorët, të cilët e kanë përcjellë situatën ka pasur dallime nga shkolla në shkollë edhe nga komuna në komunë, por e mira është që në të shtunën e fundit pjesëmarrja ka qenë shumë e madhe se sa në ditën e parë dhe unë pres se në ditën vijuese të kemi një pjesëmarrje të plotë të fëmijëve”, theksoi ajo.