Trajkoviq: Vështirë se do të ketë zgjedhje në veri më 18 dhjetor

Trajkoviq: Vështirë se do të ketë zgjedhje në veri më 18 dhjetor

Aktuale November 15, 2022 - 21:37

Politikania serbe, Rada Trajkoviq në një intervistë për RTK-në, është shprehur e bindur se nuk do të mbahen zgjedhjet me 18 dhjetor në katër komunat veriore të Kosovës.

Sipas saj, edhe ata serbë që do të donin të bëheshin pjesë e procesit nuk do të guxonin. Trajkoviq është shprehur e gatshme të marr postin e deputetes së Kuvendit të Kosovës nëse për emrin e saj do të vendoste KQZ-ja.

Në këtë intervistë, politikania serbe tha se fatkeqësisht veriu prej kohësh është kontrolluar nga grupet, ku lideri kryesor, sipas saj, është shefi i mafisë serbe, Millan Radojiçiq.

“Natyrisht që serbet në veri do të sillen ashtu siç i marrin udhëzimet pikërisht nga ai dhe kjo do të thotë që nuk mund të shprehin dëshirën e tyre se çfarë do të dëshironin ata, dhe si do të dëshironin ata të zhvillohej situata në katër komuna në veri”, tha tutje ajo.

Trajkoviq tha se disa prej të larguarve serb nga institucionet i kanë shprehur asaj brengën e shqetësimin për ekzistencën e tyre.

“Janë caktuar si policë në Serbinë qendrore kështu që kjo për ta paraqet problem. Kjo thirrje është për largim nga shtëpitë e ndarje nga familja. Gjendja në veri të Kosovës është mjaftë komplekse”, tha Trajkoviq.

Tutje ajo ka thënë se nuk do të ketë dalje në zgjedhjet e 18 dhjetorit, sepse serbët e atyre komunave nuk do të kenë guxim ta bëjnë këtë.

Ajo tha se edhe presidentja Osmani është e vetëdijshme që nuk do të ketë dalje në zgjedhje në veri, por ka respektuar procedurat.

E pyetur nëse ndihet e kërcënuar, tha se për nga natyra nuk është tip i ndieshëm.

“Mund të më kërcënojnë sa të duan, kjo nuk do të jetë hera e parë”, tha ajo, derisa ka treguar se sot ka pasur kërcënime nga Ministri i Mbrojtjes së Serbisë.

Trajkoviq ka thënë se është e gatshme të marr postin e deputetes së Kuvendit, pas dorëheqjes së 10 deputetëve të Listës Serbe.