Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”: Shqetësuese rënia e numrit të studentëve
Në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” vijojnë studimet rreth tetë mijë studentë.
Të njëjtët, sipas rektorit Armand Krasniqi, kanë perspektivë të mirë edhe në tregun e punës. Kjo pasi ky universitet, që mbushi 11 vjet, sipas Krasniqit, tenton të inkuadrojë programe studimi që u përshtaten nevojave ekonomike.
Krasniqi në Sytë 7 në Klan Kosova tha se edhe kuadri akademik tenton të jetë profesional dhe i angazhuar në punime shkencore. Por rektori i “Haxhi Zekës” tha se brengë e kanë uljen e numrit të studentëve dhe jo vetëm në Universitetin e Pejës, por në përgjithësi në ata publikë dhe privatë.
Ky fenomen, sipas Krasniqit, po ndodh si shkak i rënies së natalitetit e po ashtu edhe migrimit dhe lënies së studimeve si shkak i krizës ekonomike, ku studentët ndërpresin studimet dhe zgjedhin punësimin.
Krasniqi bëri me dije se aktualisht ky vit ishte i mirë për Universitetin e Pejës, edhe për nga numri i të interesuarve për studime.