Policia jep detaje për grafitet e shfaqura sot në veri për “rezistencë” ndaj vendimit për targat

Policia jep detaje për grafitet e shfaqura sot në veri për “rezistencë” ndaj vendimit për targat

Aktuale November 13, 2022 - 13:33

Mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës janë shfaqur grafite të reja nga “Brigada Veriore”.

Përmes këtyre grafiteve u bë thirrje për rezistencë që nga 21 nëntori.

“Nga data 21.11 është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, shkruan në grafit.

Në lidhje me këto grafite, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për “Zeri.info”, se policia është në dijeni për vendosjen e këtyre grafiteve dhe se tashmë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Me datë 13.11.2022 gjatë natës, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri, janë hasur disa grafite me mbishkrime të ndryshme në gjuhen serbe. Policia e Kosovës, me njësitet e saj ka ndërmarr veprimet e nevojshme policore, për hetim dhe procedim të mëtejmë, lidhur me grafitet e shkruara në disa mure dhe rrugë”, ka thënë Kelani për “Zeri.info”.

Grafite ka pasur edhe gjatë muajve të kaluar. Herën e fundit kur “Brigada Veriore”, kishte vendosur grafite ishte fundit i muajit gusht.

“Mos u shqetëso, këtu jemi – Brigada Veriore” dhe “NATO shko në shtëpI! Kjo është Serbi. Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”, thuhej në grafitet që ishin vendosur në atë kohë nga “Brigada Veriore”.

Theksojmë se për shkak të marrëveshjes për targat ilegale, serbër në veri janë tërhequr nga institucionet e Kosovës, duke përmendur si pretekst vendimin për targa, por edhe pezullimin e Nenad Gjuriqit nga posti i drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Nga 1 nëntori qytetarët në Kosovë që kapen me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës po marrin fletëqortime. Ndërsa nga 21 nëntori pritet të gjobiten me nga 150 euro. /Zeri.info