Dogana e Kosovës zëvendëson doganierët e dorëhequr

Dogana e Kosovës zëvendëson doganierët e dorëhequr

Aktuale November 12, 2022 - 16:26

Njëmbëdhjetë doganierët e dorëhequr nga Dogana e Kosovës që ishin të angazhuar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, tashmë janë zëvendësuar. Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka staf të mjaftueshëm për të përballuar kërkesat e tanishme për staf.

Dogana e Kosovës ka zëvendësuar doganierët e dorëhequr nga pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adratik Stavileci, i cili tha se janë plotësuar të gjitha pozitat në këto dy pika kufitare.

“Dogana e Kosovës bënë alokimin e stafit në bazë të nevojave. Dhe, në këtë situatë normalisht që jemi përgjigjur dhe kemi alokuar stafin shtesë menjëherë në ato pika që të mos mbesim pa mbikëqyrje apo të mos mbesim pa kontrolle doganore”, tha Stavileci.
Nuk ka vend për panik se ato pika do të mbesin pa doganierë apo pa mbikëqyrje, ka thënë Stavileci, teksa ka shtuar se tani për tani, dogana ka staf të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat.

“ Kemi për momentin staf të mjaftueshëm. Sidoqoftë nuk besojmë se do të mbesim keq pa staf”, tha ai.

Nga Dogana e Kosovës janë dorëhequr nëntë doganierë të komunitetit serb dhe dy të tjerë nga komuniteti boshnjak. Dorëheqjet e tyre erdhën pas situatës që u krijua në veri të vendit, ku Lista Serbe vendosi të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës, si reagim për vendimin e Qeverisë për targat.