Petkoviq: FSK-ja s'ka çka kërkon në veri, Prishtina të mos luaj me zjarrin

Petkoviq: FSK-ja s'ka çka kërkon në veri, Prishtina të mos luaj me zjarrin

Aktuale November 12, 2022 - 11:31

Shefi i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se faktori ndërkombëtarë e ka të qartë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri të Kosovës.

Duke ju referuar disa deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se FSK-ja mund të veprojë në gjithë territorit e vendit, Petkoviq i ka komentuar këto si kërcënime alarmuese dhe ogurzeza, transmeton Zeri.info.

“Për të gjithë faktorët ndërkombëtarë është e qartë se e ashtuquajtura FSK nuk ka çfarë të kërkojë në veri të krahinës, por Kurti dhe agjentët e tij padyshim duan të shkelin veçanërisht ato marrëveshje që ruajnë paqen dhe garantojnë sigurinë e serbëve në Kosovë, sepse kështu duan të sillen me njerëzit tanë në krahinë, veçanërisht me serbët në veri”, ka theksuar Petkoviq në një komunikatë për media.

Petkoviq ka përmendur se në marrëveshjen, të cilën sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s Anders Fogh Rasmunsen e ka nënshkruar dhe garantuar me autoritetet në Prishtinë në vitin 2013, "pa mëdyshje thuhet se asnjë formacion ushtarak nga Prishtina nuk mund të veprojë në katër komuna në veri të Kosovës pa miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it dhe katër kryetarëve të komunave.

Ai shtoi se kjo garanci është nënshkruar dhe miratuar në të njëjtën ditë me Marrëveshjen e Brukselit, gjë që tregon se ky dokument ka qenë edhe kusht për Marrëveshjen e Brukselit.

“Të mos luajnë me zjarrin në Prishtinë dhe të mos përdorin deklarata, njoftime dhe lëvizje nxitëse për të destabilizuar më tej situatën e sigurisë në Kosovë dhe Metohi, të cilën tashmë e kanë minuar me lëvizjet e tyre të njëanshme, të paligjshme dhe të dhunshme në lidhje me targat", shtoi ai. /Zëri