U helmuan nga plumbi në kampet në veri, romët e Kosovës duan kërkim faljeje dhe kompensim nga OKB-ja

U helmuan nga plumbi në kampet në veri, romët e Kosovës duan kërkim faljeje dhe kompensim nga OKB-ja

Aktuale November 10, 2022 - 10:33

Helmimi nga plumbi i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, që ishin vendosur në veri të vendit pas luftës në një zonë të kontaminuar, qe pohuar nga Kombet e Bashkuara vite më parë, megjithatë reagim nuk ka pasur – as dëmshpërblim e as kërkim faljeje. Qytetarët e prekur ende vuajnë pasojat e kontaminimit.

Driton Berisha, nga OPRE Roma Kosova, ka thënë se pjesëtarët e komuniteteve që jetuan aty edhe sot vuajnë nga pasojat shëndetësore.

Ai kërkon nga OKB-ja që të kërkojë falje për zhvendosjen e këtyre personave në kampin në Zveçan dhe kompensim.

“Kishim dashtë një kërkim falje prej OKB-së dhe UNMIK-ut, si dhe një kompensim për viktimat që kanë humbur jetën dhe që sot vuajnë pasojat”.

“Interesante është që OKB-ja apo UNMIK-u prej 1999 deri 2008 nuk ka marrë përgjegjësinë për një qeverisje jo aq të mirë, qeverisje që ka pasur ndikim te viktimat në Mitrovicë që ishin të helmuar me plumb. Kemi pasur probleme në familje. Flasim për mbi 600 persona që ishin të vendosur nga UNMIK-u në një kamp atje që ka qenë në tokë dhe ajër shumë të kontaminuar dhe ka pasur ndikim të madh, sidomos te fëmijët”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Berisha ka treguar se niveli i plumbit në gjakun e personave që qëndruan në këtë zonë ka qenë jashtëzakonisht i lartë.

“Kampi kur është krijuar është dashur të jetë një vendim që ka pasur të jetë vetëm për 45-90 ditë, por për fat të keq ka qëndruar aty edhe pse ka pasur tendenca që të ndryshohet vendi, por kampi ka mbetur aty dhe ka vazhduar për tetë vjet. Gjatë kësaj kohe, matja e plumbit te njerëzit ishte jashtëzakonisht i madh. Instrumentet që përdoreshin për matje të plumbit, nuk ishin në gjendje ta shohin sa ishte. OBSH-ja ka pa që aty niveli i plumbit në gjak ka qenë aq i lartë sa ka pasur rekord në historinë e njerëzimit”. /express