Rama: Opozita e rublave bashkoi votat me Putinin në Këshillin e Evropës kundër UÇK-së

Rama: Opozita e rublave bashkoi votat me Putinin në Këshillin e Evropës kundër UÇK-së

Aktuale November 09, 2022 - 14:45

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se opozita e rublave bashkoi votat me partinë e Putinit në Këshillin e Evropës për të ngritur akuzën më monstruoze ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Historia e rublave është më e thellë se kaq, natyrisht. Më e thellë se çadra. Më e thellë sesa ato shkrepëset që i vutë qendrave të votimit, të gjitha për t’i shërbyer një misioni të marrë jo nga ju, se juve s’ju jep askush asnjë mision, por atyre të cilët i morën ato para. Se këtu lind një pyetje tjetër, pse i morën ato para pikërisht ata, pse ua dhanë atyre? Për ç’arsye ua dhanë atyre?! Çfarë kishin bërë ata për të merituar besimin që gjysmë milioni dollarë t’i jepeshin për të rrëzuar Qeverinë e vendit. Çfarë kishin bërë?!”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “një nga provat që ne dimë që kishin lënë, është bashkimi i votave me partinë e Putinit në Këshillin e Evropës”.

“Pse i bashkuan votat me partinë e Putinit në Këshillin e Evropës për të ngritur akuzën më monstruoze ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Kjo është një pyetje legjitime, pse? Nuk ishte e pamundur që të mos bashkoheshin votat. Ne nuk i bashkuam, për shembull. Edhe Shpëtim Idrizi që në atë kohë kishte bërë partinë e tij nuk i bashkoi votat. Pse i bashkuat ju votat me rusët për të ngritur akuzën më monstruoze ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! E natyrisht mbasi bashkuat votat atje, ju erdhën paratë këtej. Po ato që dimë, ose ato që dihen. Po ka të tjera që do të dihen dhe nuk dihen akoma sepse kjo është diçka që vazhdon dhe jo vetëm te partia me vulën e humbur, por edhe te ajo PL-ja partia e lekut vazhdon kjo histori edhe te partia e lekut, te PL-ja”, tha ai.