Sveçla në takim me një delegacion francez, konfirmohet se Kosova i plotësoi kushtet për viza

Sveçla në takim me një delegacion francez, konfirmohet se Kosova i plotësoi kushtet për viza

Aktuale November 09, 2022 - 13:57

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur sot në takim një delegacion nga Franca, i përbërë nga disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme dhe Evropës.

Ministria ka njoftuar se ky takim u realizua me rastin e takimeve e shkëmbimeve të rregullta në kuadër të marrëveshjeve bilaterale me shtetin e Francës.

“Këtë radhë delegacioni nga Franca ishte i përbërë nga zyrtarë të lartë nga Ministria e Jashtme dhe Evropë dhe Ministria e Brendshme, me ç’rast janë zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale”.

“Përveç bashkëpunimit me Republikën e Francës në fushën e sigurisë, përgjatë këtij takimi, ministri Sveçla dhe ekipet teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës prezantuan të arriturat në luftimin e krimit dhe korrupsionit, luftimin e kontrabandës me migrantë, si dhe për bashkëpunimin me Francën në fushën e ripranimit dhe riatdhesimit”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se të dyja palët u pajtuan që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për viza dhe ka shënuar progres në vazhdimësi në fushat përkatëse si riatdhesimi, siguria e dokumenteve, rendi publik e luftimi i krimit të organizuar e korrupsioni si dhe të drejtat fundamentale njerëzore.

“Franca është jashtëzakonisht e kënaqur me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informatave në fushën policore e të migracionit. Ky proces tashmë ka hyrë në fazën finale dhe po diskutohet në formatin e Grupit për Viza të Këshillit të BE-së. Si Republikë e Kosovës kërkuam përmbylljen sa më shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave meqë qytetarët tanë e meritojnë”, thuhet në njoftimin e MPB-së. /Zëri