Plani franko-gjerman, Vuçiqi shkon në Paris, pritet të takohet me Lajçakun dhe Macronin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të udhëtojë për në Paris, ku do të takohet me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa ka thënë se mund të takohet edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Këtë e bëri të ditur vetë Vuçiqi, i cili tha se dy ditët e ardhshme do t’i kalojë në Paris, transmeton Zeri.info.
Vuçiqi, në ceremoninë e ndarjes së medialeve për ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës Veriore, Nenad Gjuriq dhe shefin e operacioneve rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq, shtoi se dy ditët e ardhshme do t'i kalojë në Paris, ku do të takohet me të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dhe siç shtoi ai, ndoshta edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Kujtojmë se BE-ja ditë më parë ka bërë të ditur se ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia në lidhje me planin franko-gjerman, ndërsa në deklaratat e tyre zyrtarët serbë kanë bërë të ditur se e kanë refuzuar këtë plan.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, para disa dite nga Vjena tha se propozimi francez-gjerman nuk do të pranohet nga Serbia.
Ndërkohë gjatë një intervistë mbrëmë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se Kosova i ka kthyer përgjigje pozitive BE-së në lidhje me planin franko-gjerman. /Zëri