Abdixhiku: Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti, kërkesa për ecje me SHBA-në akt patriotik
Foto:Laura Hasani

Abdixhiku: Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti, kërkesa për ecje me SHBA-në akt patriotik

Aktuale November 09, 2022 - 11:43

“Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti. Kërkesa për ecje me SHBA-në është akt patriotik”, kështu ka thënë sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, Serbia ka investuar në Kosovë për të krijuar bindjen se vendi ka mbetur pa aleatë, ndërsa sipas tij kjo tashmë është arritur.

“Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me SHBA-në. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet, siç ka prekur dhe analistë të pushtetit, që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje.

Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë”, shkroi Abdixhiku.

Ai i ka kërkuar Qeverisë që të koordinohet me aleatë, pasi sipas tij ta lësh Kosovën pa ta është tradhti.

“Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë. Ta lësh Kosovën pa aleatë është tradhti. Kërkesa për ecje me SHBA-në është akt patriotik”, ka shkruar kreu i LDK-së. /Zëri